TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z.Donald Lu, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e tij të re në Shqipëri.
Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin e tij për miqësinë dhe aleancën e veçantë strategjike që ekziston mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe shprehu bindjen se përkushtimi dhe misioni i Ambasadorit Lu në Tiranë do t’i shërbejë forcimit të pandalshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve mike.
Z. Meta theksoi se Kuvendi i Shqipërisë e çmon mbështetjen e SHBA në drejtim të forcimit të demokracisë, në kuadër të NATO-s dhe në operacionet e përbashkëta kundër terrorizmit, duke vënë në dukje se Shqipëria do vazhdojë të mbetet një aleate e fortë e SHBA jo vetëm në rajonin e Evropës-Juglindore por edhe më gjerë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu shprehu kënaqësinë e marrjes së detyrës së re në Tiranë dhe duke vlerësuar cilësinë e marrëdhënieve të ngushta mes SHBA dhe Shqipërisë si dhe miqësinë mes dy popujve, theksoi se bashkëpunimi me Kuvendin do të jetë kyç për marrëdhëniet dypalëshe dhe për avancimin e Shqipërisë në axhendën e saj euro-atlantike.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: