KUKËS- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e programit elektoral të kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane për Bashkinë e Kukësit, Hasan Halilaj.

Në këtë takim, Meta ishte i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi si edhe nga deputetët Vexhi Muçmata dhe Ylli Shehu. Në fjalën e tij para qytetarëve, kryetari i LSI-së shprehu notat më pozitive për projektin e prezantuar nga kandidati Halilaj duke vlerësuar edhe figurën e tij në kandidimin për kryetar të Bashkisë së Kukësit.

“Ajo që unë çmoj tek Hasani dhe që e dinë shumë mirë kuksianët dhe të gjithë shqiptarët, është që Hasan Halilaj ka ikur nga Partia Demokratike, sepse PD-ja i kërkoi që ky të bëhej pjesë e një ceremonie mashtruese, e një inaugurimi mashtrues, që të vinin këtu të prisnin shirita për ujësjellës dhe Kukësi të mos kishte ujë. Ndërkohë që për një vit rresht Hasan Halilaj ka luftuar në Ministrinë e Transportit, në qeveri, e kudo për të rishikuar projektin e ujësjellësit të Kukësit i bindur se ai projekt nuk do të sillte ujë për Kukësin dhe ishte një projekt korruptiv. Tani njerëzit janë nëpër gjyqe dhe prokurori për atë që kanë bërë duke e lënë Kukësin pa ujë edhe sot e kësaj dite”, tha Lideri i LSI-së.

Në vijim të fjalës së tij, Meta theksoi se me ndarjen e re administrative tani më do të ketë më shumë mundësi për të bërë politika zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

“Bashkia e re e Kukësit krijon mundësinë e shtimit të kapaciteteve, të mundësive, të resurseve, të instrumenteve që do të ketë kryetrari i bashkisë dhe këshilli i ri i bashkisë për të bërë politika zhvillimore dhe në radhë të parë për të hapur vende të reja pune. Dhe kjo është falë reformës administrative –territoriale. Tani krijohet mundësia për një zhvillim harmonik dhe për t’i bashkuar resurset e të gjitha njësive anembanë këtij rrethi me shumë potenciale të jashtëzakonshme për zhvillim”, tha Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së u shpreh se aeroporti i Kukësit duhet të vihet sa më parë në punë pasi do të garantojë punësimin e rreth 250 kuksianëve si edhe përfitime ekonomike për bizneset e qytetit, duke shtuar se ai ka qenë ideatori i ndërtimit të aeroportit të Kukësit.

“Unë kam qenë ideatori i bërjes së aeroportit të ri të Kukësit. Tani unë e kam ëndërr që aeroporti i Kukësit të vihet në punë, që Kukësi të jetë një qendër e rëndësishme e zhvillimit. Dua të falënderoj Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Haxhinasto për punën e shkëlqyer që ka bërë dhe po bën bashkë me gjithë stafin e aviacionit civil në mënyrë që ne të bëjmë shumë shpejt realitet vënien në funksionim të aeroportit të Kukësit. Që do të thotë jo vetëm 200 deri në 250 vende të reja pune, në të gjitha shërbimet që do të ofrojë ky aeroport, por që do të thotë që qindra e mijëra pasagjerë që do të vijnë nga Shqipëria e Prizreni e kudo që do të udhëtojnë përmes të aeroportit të Kukësit me çmime shumë të leverdishme, shumë të favorshme, shumë më të lira sesa udhëtojnë sot nga Tirana. Dhe kjo të thotë që Kukësi dhe do të jetë një qendër e rëndësishme zhvillimi dhe që shërbimet në Kukës do të zhvillohen në mënyrë të jashtëzakonshme, në mënyrë që të gjithë njësitë e shërbimit të kenë shumë më tepër punë sesa kanë sot”, tha Meta.

Duke u ndalur tek bujqësia, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se ky sektor do të jetë prioritar për Kukësin. “Unë dua t’ju siguroj që Kukësi do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke investuar dhe duke mbështetur në ngritjen e qendrave të grumbullimit por edhe të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale”,- tha ai.

Lideri i LSI-së tha ndër të tjera se kandidati Hasan Halilaj do të ndjekë politikat e duhura në mënyrë që të gjenerohen sa më shumë vende pune në Kukës dhe se pas datës 22 qershor do të filloi lufta kundër varfërisë pikërisht nga kjo bashki e re. “Njëkohësisht dua t’ju siguroj se me fitoren e padiskutueshme të Hasan Halilaj më 21 qershor dhe të Aleancës sonë për Shqipërinë Evropiane në Këshillin e ri të Bashkisë së Kukësit në më 22 qershor luftën kundër varfërisë dhe papunësisë do ta fillojmë nga Kukësi. Absolutisht që me politikën e re që do të ndjekë Bashkia e re e Kukësit, Hasan Halilaj, do të ketë favorizim për sa i takon heqjes së taksave vendore për një periudhë të caktuar për të gjithë ato biznese që do të hapin vende të reja pune në Kukës. Ndërkohë që kemi edhe premtimin e Ministrit të ri të Mirëqenies Sociale, z. Klosi që një pjesë e konsiderueshme e fondit kombëtar për nxitjen e punësimit, pra për të mbështetur sipërmarrësit që hapin vendet e reja të punës, do t’i dedikohet pikërisht hapjes së vendeve të reja të punës këtu në Kukës”,- tha Meta.

Ndërsa, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, theksoi në fjalën e tij se programi i kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane mbështetet tek punësimi dhe se qeveria do ta mbështes atë me projekte konkrete në Kukës si hapja aeroportit të ri dhe ndërtimi i ujësjellësit. “Është evidente që Hasanit i qanë zemra tek punësimi, te përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kukësit, dhe kjo është plotësisht e realizueshme. Pa diskutim që këtyre zhvillimeve, këtyre propozimeve që u dhanë sot këtu, këtyre projekteve i shtohen edhe shumë të tjera që janë edhe kombëtare nga të cilat Kukësi do të përfitojë drejtpërsëdrejti. Hasani përmendi këtu aeroportin e Kukësit. Nuk e tha me shumë zë të lartë, po unë po e them shumë zë të lartë, po aeroporti i Kukësit do të hapet. Javës që vjen përfundon përgatitja e projektit për fazën e dytë të ujësjellësit të Kukësit në vlerë prej 187 milion lekë i cili do të sjellë 24 orë ujë në shtëpitë e kuksianëve dhe me kapacitet 250 litra në sekondë që është kapaciteti mëse i mjaftueshëm për të gjithë zonës së Kukësit dhe për zhvillimin e të ardhshmes si një zonë turistike ashtu siç e paraqiti dhe Hasani”, – tha Haxhinasto.

Vetë kandidati Halilaj, teksa prezantoi platformën elektorale, u ndal në disa pika kryesore si punësimi, mbështetja e të rinjve drejt arsimit profesional dhe bursave të studimit, por edhe tek çështjet sociale. Lidhur me këtë, Halilaj theksoi se në administratën e bashkisë së re do të jenë 30% e stafit të rinj si edhe 50 % gra dhe vajza.

“Bashkia do të jetë e hapur për rininë, një bashki e hapur për rininë dhe ndoshta do të jetë sfida ime personale ku 30% e stafit do të jetë me të rinj. Gjithashtu në stafin e Bashkisë do të kenë një peshë të rëndësishme edhe gratë dhe vajzat ku rreth 50% e stafit të Bashkisë do të jenë gra dhe vajza”, – tha Halilaj.

Në programin e tij elektoral, Halilaj u ndal edhe tek potencialet e zhvillimi ekonomik të Bashkisë së re të Kukësit ku theksin e vendosi tek bujqësia dhe turizmi si dy shtyllat kryesore. Lidhur me zhvillimin e bujqësisë, Halilaj tha se do të zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e certifikatave të pronësisë për ish-ndërmarrjen bujqësore si edhe do të punohet për të zhvilluar turizmin.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb