SHENGJIN- Kreu i LSI-së Ilir Meta është ndalur pasditen e sotme në Shëngjin për të prezantuar kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj. Duke u shprehur se në programin e tij, Tushaj synon rritjen e punësimit dhe të shërbimeve për qytetarët, Meta tha se “Detyra jonë të sjellim Europën këtu, jo largime”.


“Jemi këtu bashkë për të dhënë mbështetjen për programin tonë të Aleancës për Bashkinë e Lezhës, dhe qytetin e Shëngjinit që përfaqëson një resurs të jashtëzakonshëm. Me votën tuaj kërkojmë të Tushaj të marrë drejtimin e Bashkisë së qytetit, dhe me mbështetjen e përbashkët t’i japë jetë projekteve. Besoj se Viktori është njeriu i duhur që i duhet Bashkisë së Lezhës. Synohet garantimi i shërbimeve më të shpejta, cilësore e transparente, si dhe synohet më shumë punësim për të gjithë.

Me eksperiencën që ka krijuar deri tani Viktori ka ditur të krijojë partneritet me donatorët ndërkombëtarë. Ka projekte për zgjidhjen e shumë problemeve, ndërsa synohet financimi i projekteve për zhvillimin e Lezhës. Detyra jonë është që të sjellim Europën këtu, dhe jo të ketë largime drejt saj”, tha Meta.

Ndërkaq, Lideri i LSI-së u ndal edhe në kapacitet që ka kjo zonë për të zhvilluar industrinë e peshkimit dhe projektet për të investuar në këtë sektor të rëndësishëm në të ardhmen e afërt.

“Kemi industrinë e peshkimit, është një mundësi e shkëlqyer. Të mos harrojmë se në Lezhë kemi në mos gaboj tre fabrika shumë të rëndësishme të përpunimit të peshkut, por ato kryesisht peshkun e marrin nga vende të tjera. Ndërkohë që në planet tona me mbështetjen që qeveria që Ministria e Bujqësia do të japë, ne do të bëjmë të mundur që të rriten të gjitha potencialet, të rivitalizohet një flotë e tërë aktive në mbështetje të peshkatarëve për të rritur kapacitetet e zënies së peshkut në vendin tonë dhe njëkohësisht, ajo që është më e rëndësishmja, investimi për një merkato moderne të peshkut në Lezhë, gjë për të cilën Ministria e Bujqësisë po bashkëpunon ngushtë me qeveri partnere dhe me BE-në për të bërë të mundur rritjen e vlerës në mënyrë mjaft të konsiderueshme për të gjitha ata të cilët merren me këtë aktivitet jetik për Lezhën”, theksoi Meta.

Ndërkaq, kandidati Tushaj tha se synohet zbatimi i projekteve në funksion të zhvillimit të zonës dhe rritjes së punësimit të të rinjve.

“Ne jemi drejtimi i duhur. Kemi projekte për modelin e zhvillimit të zonës dhe për punësimin e të rinjve. Do të garantojmë zhvillimin ekonomik. Do të stimulojmë industrinë agro-përpunuese”, u shpreh Viktor Tushaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb