TIRANE- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka përshëndetur progres-raportin e KE­së për Shqipërinë, duke u ndalur kryesisht tek pikat që prekin institucionin që ai drejton. Pas takimit me ambasadoren e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin, kreu i Kuvendit theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të qëndrueshëm përpara. Duke u fokusuar tek temat kyçe të procesit të dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi, Meta tha se pas marrjes së opinionit të Komisionit të Venecias do të hartohen edhe shtyllat kryesore të reformave.


“Progresin e qëndrueshëm që është bërë në drejtim të avancimit të 5 prioriteteve kyçe. Shpreh kënaqësinë për vlerësimin pozitivi që bëhen ndaj parlamentit dhe punën e tij, edhe sa i takon monitorimit të institucioneve të pavarura. Ne do të kemi në konsideratë të gjitha rekomandimet që jepen për të rritur kapacitetet e Kuvendit, po edhe për një ekspertizë më efikase për të ndihmuar procesin ligjvënës, Ne jemi të vendosur për të ecur më shpejt në procesin e dekriminalizimit, dhe për të ecur përpara me reformën në drejtësi që është më rendësi për procesin e integrimit”, tha Meta.


I pyetur se sa kohë i duhet mazhorancës për të përfunduar reformën në drejtësi, Meta tha se “Nuk jam këtu për të folur ne emër të mazhorancës, megjithatë mund të them se do bëjmë gjithçka për të ecur përpara me këtë proces. Pasi të kemi dhe opinionet e komisionet të Venecias besoj se nuk do të duhet shumë kohë për të vendosur shtyllat e kësaj reforme”.


Sa i takon dorëheqjes së Nasip Naços nga posti i ministrit të Drejtësisë një ditë më parë, Meta tha se ky veprim i shërben impulseve të reja.

“Nuk mund ta them këtë, por pa diskutim dua të falënderoj z.Naço, që i hapi rrugë këtij ndryshimi. dhe që do t’i shërbejë impulseve të reja, dhe pse jo edhe vetëm reformës në drejtësi. Po kështu le të jetë edhe si një nxitje për rritje të rolit të Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces. Jam i bindur që është një lëvizje mjaft pozitive”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb