DURRËS

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të heqë dorë nga shantazhet dhe presionet ndaj institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e dekretit të tij për zgjedhjet e 13 tetorit. Meta tha se Shqipëria ndodhet në një teatër të madh politik e absurd dhe iu bëri thirrje si maxhorancës ashtu dhe opozitës t’i japin fund. Presidenti iu drejtua tre liderëve politikë në vend, Edi Ramës, Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit duke i quajtur ‘artistë’.

“Ajo që na shqetëson më shumë është ky Teatri i madh politik, absurd, i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çelur negociatat në 17-18 tetor. Prandaj dhe njëherë iu bëj thirrje të gjithëve, në mënyrë të veçantë të tre artistëve t’i japin fund këtij absurdi të marrin masa për zgjedhjet vendore më 13 tetor sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, të kenë normalitet, të kenë një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe po kështu që garanton llogaridhënie për të gjitha shqetësimet e tyre.
Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet më 13 tetor, për zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithçka por ky është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm. Në radhë të parë është detyrim për kryeministrin që të heqë dorë nga shantazhet dhe presionet ndaj gjithë institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e këtij dekreti dhe padyshim është përgjegjësi e gjithë të tjerëve të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 13 tetorit.
Po kështu sot, unë kam formalizuar dhe një letër dërguar sekretarit të përgjithshëm të OSBE që vizitoi dje Tiranën por edhe kryetarit të radhës të OSBE-së, ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së meqenëse Shqipëria përgatitet për të marrë kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm dhe ky është një moment i rëndësishëm dhe historik, për të negociuar me të dyja palët këtu për arritjen e një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë, jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj situate aspak të favorshme për të gjithë qytetarët tanë por edhe e padenjë për një vend i cili duhet të jetë shembull në kryesimin e OSBE-së për çështjen e zgjedhjeve, të funksionimit të institucioneve demokratike dhe të kontribuojë për rritjen e sigurisë në të gjithë hapësirën e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme”, deklaroi Meta.

Ai tha se kam insistuar prej shumë kohësh për një dialog të qëndrueshëm politik, jo për diversion, jo për demagogji se ky lloj dialogu nuk i duhet Shqipërisë por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët në mënyrë që të rivendoset normaliteti, funksionimi i institucioneve, i demokracisë në vend dhe njëkohësisht që të funksionojë kontrolli dhe balanca mes pushteteve të ndryshme dhe mbi të gjitha llogaridhënia.

“Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka. Sot kemi një situatë jashtëzakonisht kaotike në të gjitha drejtimet. Kjo është përgjegjësi e palëve politike në vend. Asnjë nuk mund të shfajësohet sepse dhe opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë që kanë ndodhur në drejtim të përparimit të skenarit të qartë të kapjes së gjithë institucioneve në vend. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra-tjetrën, të paktën hapur ose publikisht dhe në interesin e qytetarëve shqiptarë, që janë rruga e kapjes së të gjitha institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e de legjitimimit të gjithë institucioneve. Ne jemi një vend dhe kemi nevojë për një rrugë të përbashkët që është rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE që është vullnet i të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe që palët duhet të tregojnë përgjegjësi për të mos e cenuar më tej këtë vullnet”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb