GJEORGJI- Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare mbi transparencën parlamentare që po zhvillohet këto ditë në Tbilisi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë, Giorgi Kvirikashvili.

Meta vlerësoi ndjenjat e simpatisë dhe miqësisë se ndërsjellët mes dy popujve dhe nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe në interes reciprok. Në këtë drejtim Meta vuri në dukje rëndësinë e avancimit me plotësimin e kuadrit ligjor mes dy vendeve përmes marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe transportin detar, etj.

Kreu i Kuvendit rikonfirmoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë për ruajtjen e integritetit territorial të Gjeorgjisë dhe në këtë kuadër theksoi se Shqipëria përshëndet objektivat kryesore të politikës së jashtme të Gjeorgjisë për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si garanci për sigurinë kombëtare të vendit si dhe në dobi të paqes e stabilitetit në rajonin e Kaukazit.

Nga ana tjetër Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm gjeorgjian e vlerësoi këtë vizitë të z. Meta në Gjeorgji si hapjen e një faze të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë dhe shprehu mirënjohjen për qëndrimin e qartë dhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj aspiratave euro-atlantike të Gjeorgjisë.

Gjithashtu, Kvirikashvili duke vlerësuar bashkëpunimin në platformat shumëpalëshe shprehu vullnetin për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke sjellë veçanërisht në vëmendje pozicionin strategjik të Gjeorgjisë si një korridor lidhës mes Evropës dhe Azisë dhe pozicionin strategjik të Shqipërisë në rajonin e Evropës Juglindore.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: