TIRANË

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar Organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë me Dekoratën “Nënë Tereza” për përkushtimin dhe  kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve që e kanë humbur kujdesin prindëror.  Në fjalën e tij, Meta u shpreh se Shqipëria nuk duhet të jetë një vend i shpresave të thyera, por i mundësive për këdo pa asnjë dallim.

Kreu i shtetit theksoi se fëmijët e rritur në fshatin SOS janë bërë të zotë falë përkujdesjes dhe ngrohtësisë që kanë gjetur në këtë organizatë,  ndërsa shtoi se sot e gjithë Shqipëria ndihet krenare me ta.

Fjala e presidentit Meta:

“Të dashur fëmijë dhe prindër të Fshatit SOS,Shumë i respektuar zoti Tom Malvet, Drejtor i Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtar,

E nderuar Drejtuese e Fshatit SOS Shqipëria, znj. Teuta Shkenza, Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë  të Fshatit SOS! Ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë për t’u takuar sërish në ambientet tuaja kaq të bukura dhe plot jetë!

Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për fshatin tuaj, por edhe për mbarë shoqërinë shqiptare. Në këtë ditë të bukur qershori ndiej kënaqësi që jemi bashkë për të  festuar, nderuar dhe vlerësuar 70-vjetorin e themelimit në mbarë botën të Fshatrave të Fëmijëve, SOS.

Padyshim misioni juaj është një nga aktet më bujare të shoqërisë ndaj fëmijëve të privuar nga kujdesi prindëror.

Ashtu siç ka thënë Nënë Tereza: ‘Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me një dashuri të madhe’.

Dhe puna dhe dashuria juaj ka qenë shumë e madhe. Dhe unë ju përgëzoj dhe shpreh mirënjohjen time të thellë që në 70 vite ju keni arritur t’i ktheni solidaritetin, dashurinë, sigurinë dhe shpresën miliona fëmijëve dhe familjeve në nevojë në mbarë botën.

Për 23 vjet, Fshatrat e Fëmijëve SOS Shqipëri kanë qenë shtëpia e shumë  fëmijëve pa kujdes prindëror të cilët falë jush kanë gjetur një shtëpi të dashur dhe të ngrohtë. Këtu fëmijët janë rritur dhe kanë filluar jetën e tyre të zotë dhe të pavarur, duke na bërë krenarë për arritjet e tyre. SOS-i ka ndihmuar fëmijë që të rriten në një ambient familjar të sigurt dhe të kujdesshëm.

Shumë prej fëmijëve janë bërë prindër dhe gjyshër, dhe aftësia e tyre për t’u kujdesur për familjen që kanë krijuar është përmirësuar për shkak të mbështetjes dhe shembullit që kanë marrë nga ju.

Ju shpreh mirënjohjen time për këtë kontribut të lartë njerëzor dhe ju uroj përzemërsisht suksese dhe gëzuar këtë përvjetor të shënuar! Të dashur miqtë e mi, Organizimi juaj familjar dhe respekti ndaj nënave kujdestare  është tejet frymëzues!

Lidhjet që ju krijoni me njëri-tjetrin për t’u përballuar me vështirësitë janë një shembull i madh përkushtimi për të gjithë institucionet shqiptare që merren me edukimin e brezit të ri dhe forcimin e institucionit të familjes.

Harmonia dhe komunikimi i ngrohtë me pjesën tjetër të komunitetit janë një apel për një shoqëri më solidare dhe për një sistem arsimor pa diskriminim social.

Përpjekjet, pasioni dhe dëshira juaj për t’u arsimuar dhe për t’u bërë të dobishëm për shoqërinë duhet të përbejnë një detyrim më shumë për të rritur financat e shtetit ndaj shtresave në nevojë, edukimit të fëmijëve dhe integrimit të tyre në jetë.

Fshati SOS duhet mbështetur nga shteti dhe bizneset në mënyrë që të keni më shumë mundësi për t’u kujdesur ndaj më shumë   fëmijëve dhe familjeve vulnerabël.

Nuk ka prioritet më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë sesa investimi për rritjen, edukimin dhe integrimin sa më të mirë të rinisë dhe sidomos të fëmijëve pa kujdesin prindëror.

Të nderuar pjesëmarrës, Populli ynë ka mbartur gjithnjë brenda vetes një potencial të pashtershëm mirësie dhe humanizmi.

Këtë vlerë tejet të çmuar ai e ka treguar gjatë të gjithë historisë së ekzistencës së vet. Solidariteti vëllazëror, ndihma dhe përkrahja ndaj tjetrit, mbrojtja dhe përkujdesja ndaj individëve në nevojë, të shpalosura ndër shekuj,  janë tregues tejet domethënës zemërgjerësie dhe bujarie për një popull modest si i yni.

Një popull modest, por me një zemër dhe dashuri të madhe. Këto atribute kanë qenë dhe mbeten lajtmotivi i vendit tonë për një shoqëri të drejtë dhe humane. Të nderuar autoritete të ftuara,

Ky vit shënon edhe 30-vjetorin e konventës mbi të drejtat e fëmijëve. Ky përvjetor duhet të na nxisë të gjithëve për të rritur përkujdesjn sociale dhe për të përmirësuar edhe më tej realitetin e hidhur të një pjese të konsiderueshme të fëmijëve që jetojnë në mjerim, pa përkrahje, të dhunuar, të pastrehë dhe pa kujdesin prindëror.

Ky realitet i papranueshëm duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë ne, shtetin, politikën dhe shoqërinë, pasi shtresat pa përkrahje duhet të kenë të njëjtën mundësi jetese, punësimi, strehimi dhe mirëqenie si pjesa tjetër e shoqërisë. Shqipëria nuk duhet të jetë vendi i shpresave të thyera, ku shkelen të drejtat bazike të fëmijëve dhe ku varfëria i frenon brezit të ri zhvillimin normal dhe ndrydh ëndrrat e tyre të lira që në fëmijëri. Shoqëria shqiptare duhet të përgatisë qytetarë me integritet, të shtyrë dhe frymëzuar nga ndjenja e barazisë, të aftë dhe të devotshëm për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre, por edhe për t’i shërbyer atdheut.

Të dashur fëmijë, prindër kujdestarë dhe edukatorë. Në këtë përvjetor dua të përgëzoj dhe vlerësoj të gjithë  edukatorët dhe aktivistët të cilët i kanë shërbyer me përkushtim dhe dashuri fëmijëve të Fshatit SOS.

Shfrytëzoj këtë rast për të shprehur në mënyrë të veçantë nderimin më të lartë për  zotin Tom Malvet, një prej personaliteteve më të spikatur të Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtar.

Falë investimit, filozofisë dhe pedagogjisë së kësaj organizate të rëndësishme humane ne kemi në Shqipëri një prej qendrave të kujdesit social më të mirëorganizuara dhe të suksesshme. Fshati shqiptar SOS është një shembull i përmbushjes së nevojave shpirtërore, ekonomike dhe edukimit bashkëkohor të fëmijëve  dhe forcimit të marrëdhënies Familje-Komunitet.

Në shenjë mirënjohje, falënderimi dhe vlerësimi për këtë kontribut të rëndësishëm në integrimin dhe transformimin e jetës së shumë fëmijëve dhe familjeve shqiptare sot kam kënaqësinë t’i akordoj Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve  Ndërkombëtar Dekoratën më të lartë për qëllime humanitare “Nënë Tereza.” Duke falënderuar donatorët tuaj për gjestin human, i bëj thirrje Qeverisë të mbështesë financiarisht Fshatin tuaj dhe të ndjekë në vazhdimësi integrimin e mëtejshëm të brezave që dalin nga ky komunitet mjaft cilësor.

Unë shpreh angazhimin tim të plotë, se do të jem përherë krah jush në udhëtimin tuaj të përditshëm, për një jetë me dinjitet, drejt dijes dhe progresit shoqëror. Të dashur fëmijë, Ju uroj nga zemra të keni një të ardhme sa më të lumtur! Me sa më shumë përkujdesje dhe dashuri në çdo hap të jetës suaj! U uroj suksese, shëndet dhe mbarësi tëgjithë prindërve, mbështetësve dhe dashamirësve të fshatit SOS. Faleminderit dhe mirë u takofshim!”

Dekorata e lartë “Nënë Tereza” iu dorëzua Drejtorit të SOS Kinderdorf International për Rajonin e Europës Qendrore, Lindore dhe vendet e Commonwealth-it, zotit Tom Malvet, i cili falënderoi Kreun e Shtetit për vlerësimin, por sidomos për përkujdesjen e vazhdueshme që tregon ndaj fëmijëve të Fshatit SOS në veçanti, dhe fëmijëve e brezit të ri shqiptar në përgjithësi.

Më pas, Presidenti i Republikës dhe të pranishmit ndoqën një dokumentar që ilustronte veprimtarinë e Organizatës SOS, një program muzikor me kolazh nga grupi i violinistëve si dhe valle dhe shfaqje nga animatorët për fëmijë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: