TIRANE

Partia socialiste pritet të nisë procedurat e shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Vendimi, pason dekretin e kreut të Shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qeshorit.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PS, zëdhënësja e Qeverisë dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se të enjten Partia Socialiste do të zhvillojë një debat të gjerë në parlament rreth vendimit të Presidentit Ilir Meta për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve më 30 qershor. Spiropali tha se do të vazhdojë procedura për të shkarkuar Metën.

“Patjetër që PS ka diskutuar për aktin brutal të Ilir Metës. PS ka vendosur që të enjten të zhvillojë një debat të gjerë parlamentar sesi Ilir Meta ka sulmuar republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në gjithë botën të quajtur republike, ç’dekretimin. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe parlamenti do nisë procedurat e shkarkimit. Do nisë në seancën e së enjtes dhe është detyra jonë për të mbrojtur kushtetutën.

Sigurisht, do i takojë Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe ligji parashikon. Por kjo nuk na e heq të drejtën për të shkarkuar Ilir Metën. “-tha ajo.

Deklarata për media e zëdhënëses së PS, Elisa Spiropali:

Çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Kryesisë znj. Spiropali? 

Së pari, ne vendosëm që Partia Socialiste ti bashkohet fondit të solidaritetit për banorët e prekur nga tërmeti në Qarkun e Korçës dhe konkretisht të alokojë një fond prej 70 milionë lekësh.

Bashkitë socialiste së bashku me biznesin, të cilit i është thirrje për t’u bashkuar në këtë fushatë solidariteti kanë kontribuar dhe do të ndërtojnë shtëpitë e banorëve të Floqit, të Qafëzezit, Vidohovës apo fshatrave të tjerë. Partia Socialiste ka vendosur ti bashkohet kësaj fushate duke hequr nga fondet e saj dhe duke ia shtuar fondin e solidaritetit.

Së dyti, Partia Socialiste ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës mbi Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që të enjten, në seancën plenare, të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentet se si Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë, të quajtur zhdekretim.

Ky debat do t’i përmbledhë të gjithë argumentet tona. Në fund do ti takojë Kolegjit Zgjedhor apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike. Ne si Kryesi e Partisë Socialiste mendojmë se Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe Parlamenti i Shqipërisë do fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Kur do nisë procedura znj.Spiropali?

Do të nisë menjëherë në seancën parlamentare të së enjtes, ku të gjithë argumentet do shtjellohen plotësisht. Është detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën, rendin kushtetues dhe Republikën parlamentare.

Shkarkimi kërkon 94 vota dhe Gjykatë Kushtetuese e cila nuk funksionon?

Do ti takojë Gjykatës Kushtetuese në fund, ashtu siç edhe ligji e parashikon, por kjo nuk na heq neve të drejtën për të filluar procesin e shkarkimit të Ilir Metës.

 Çfarë do ndodhë me 30 Qershorin?

Më 30 Qershor do të kemi zgjedhje në Republikën e Shqipërisë.

 S’kemi një datë znj.Spiropali?

Data është 30 Qershor.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb