TIRANE – Në kuadër të punimeve të Konferencës së 7-të të Kryetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Budapest, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta takoi Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laszlo Kover, të cilin e falënderoi për ftesën dhe për organizimin e kësaj konference sërish në Budapest.

Meta vlerësoi mbështetjen e Hungarisë ndaj procesit të integrimit e evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit, dhe vuri në dukje se Konferenca e Budapestit evidentoi qartazi se perspektiva evropiane e rajonit tonë duhet përshpejtuar në interes të stabilitetit e prosperitetit.

Kover e falënderoi z. Meta për pranimin e ftesës në këtë konferencë rajonale dhe bëri një vlerësim të veçantë për marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy parlamenteve janë kyçe për forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

Meta dhe z. Kover ndanë bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në marrëdhëniet e ngrohta njerëzore dhe në një lidhje të fortë historike mes dy popujve tanë.

Në përfundim, dy kryeparlamentarët ranë dakord për intensifikimin e kontakteve mes komisioneve parlamentare në interes të bashkëpunimit në fushat e tregtisë, investimeve dhe shkëmbimeve arsimore.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: