TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka takuar sot Kreun e Parlamentit të Suedisë, Riksdag, Urban Ahlin me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka ndarë vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Meta falënderoi homologun e tij për mbështetjen që Suedia ka dhënë për integrimin e vendit dhe kontributin e saj për të avancuar axhendën evropiane. Nga ana tjetër Kreu i Parlamentit të Suedisë, tha se Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha në 20 vite. Kryeparlamentari suedez tha se Suedia nuk është pjesë e vendeve skeptike për futjen e Shqipërisë në BE, por kërkoi mbushjen e kritereve dhe kushteve.

“Kam kënaqësinë e veçantë t’i uroj sot mirëseardhjen në Tiranë në këtë vizitë zyrtare Kryetarit të Parlamentit të Suedisë, por edhe një miku të provuar të Shqipërisë Urban Ahlin si dhe delegacionit të nderuar që e shoqëron. Dua ta falënderoj z. Ahlin që pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Një  vizitë që rikonfirmon edhe një herë vëmendjen e veçantë që Suedia i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë dhe me rajonin tonë. Dua t’i shpreh edhe njëherë mirënjohjen e thellë në emër të Kuvendit të Shqipërisë, për mbështetjen e pakursyer që Suedia i ka dhënë që prej fillimit, dhe vazhdon t’i japë përshpejtimit të integrimit evropian të vendit tonë, gjë që u provua dhe me qëndrimin mjaft të vendosur dhe solid që Suedia mbajti gjithmonë kur u diskutua miratimi i statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Suedia vazhdon t’i qëndrojë Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit tonë për të avancuar në axhendën tonë të përbashkët evropiane. Kjo u konfirmua besoj edhe gjatë takimit të sotëm”, tha Meta.

Kryeparlamentari u shpreh se “e ka njohur Ahlin me vendosmërinë për të përmbushur të 5 prioritetet e Komisionit Evropian dhe për të avancuar në axhendën e reformave të nisura, për të forcuar zbatimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në mënyrë të veçantë për të realizuar reformën kyçe në drejtësi, ku bashkëpunimi me partnerët evropianë merr një rëndësi të veçantë”.

“Për sa i përket Reformës Administrative-Territoriale, e cila tashmë është duke u bërë një realitet, e kam falënderuar z. Ahlin për mbështetjen dhe angazhimin e veçantë të Suedisë në përmbushjen e kësaj reforme të rëndësishme për vendin tonë dhe për të ardhmen e funksionimit të pushtetit vendor në Shqipëri.

Kemi biseduar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në këtë drejtim kemi rënë dakord të forcojmë dimensionin ndërparlamentar, veçanërisht përmes administratave në dy parlamentet tona, të komisioneve të përhershme parlamentare, por edhe të grupeve të miqësisë”, tha Meta.

Ai shtoi se “Suedia është një model i shkëlqyer i funksionimit demokratik dhe transparent të institucioneve, dhe në këtë drejtim ne kemi shumë ç’të mësojë prej saj”.

“Dua t’i uroj z.Ahlin një qëndrim të këndshëm në Shqipëri dhe dua ta falënderoj edhe për faktin që jo vetëm ka përfaqësues të opozitës Suedeze me vete, gjë që është mjaft normale, por edhe që ka një deputet me origjinë shqiptare në Parlamentin suedez, z.Adnand Dribra.Kjo tregon edhe njëherë tjetër që Suedia është një vend tejet demokratik, është një vend që u jep mundësi të gjithëve pa asnjë paragjykim, jo vetëm për të zgjedhur, por edhe për t’u zgjedhur. Faleminderit edhe për këtë mësim që marrim prej jush!”, përfundoi Meta.

Ndërsa Ahlin u shpreh se një shumicë e madhe në Suedi është pro zgjerimit të BE-së. “Në fillimet e viteve ‘90 kam udhëtuar rreth e përqark Shqipërisë me një makinë të vogël. Ishim vetëm në fillimet e viteve ‘90 dhe unë vija nga një vend i pasur e i begatë në veri të Europës dhe si politikan i ri isha i shokuar kur pashë një vend kaq të varfër, i shkatërruar totalisht nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Dhe personi që më shoqëronte gjatë këtij udhëtimi në Shqipëri ishte Ilir Meta. Më duhet të them se është kënaqësi që pas më shumë se 20 vjetësh ne sot jemi kryetarë të parlamenteve në vendet respektive. Dhe është një kënaqësi e veçantë për mua që të jem këtu dhe të shoh ndryshimet në Shqipëri. Ndihem shumë i kënaqur që Shqipëria ka arritur të përfitojë liberalizimin e vizave në zonën Shengen, që Shqipëria është anëtarësuar me të drejta të plota në NATO dhe që nga viti 2014 ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Nëse dikush do më thoshte 20 vjet më parë teksa udhëtoja nëpër Shqipëri me mikun tim Ilir Meta në Sarandë apo Vlorë, që ky vend të merrte statusin e vendit kandidat për në BE dhe që qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtonin lirshëm në vendet e BE-së apo do të ishte anëtar i NATO-s brenda 20 viteve, unë do të kisha qeshur me të madhe. Pavarësisht se çfarë ngjyre kanë partitë tuaja politike apo përbërjet e qeverive, në Shqipëri është bërë një punë e madhe në bërjen të mundur të gjitha këtyre ndryshimeve. Dhe mund të jeni të sigurt se do të vazhdoni të keni mbështetjen e Suedisë në aspiratat tuaja evropiane”, tha Ahlin.

I pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria i ka përmbushur prioritetet për hapjen e negociatave për futjen në BE dhe nëse vendi i tij është skeptik lidhur me këtë, Ahlin tha se Suedia nuk hyn te vendet skeptike. “Shumica në Suedi mendojnë se zgjerimi i BE-së është një nga sukseset më të mëdha të Evropës. Dhe nuk kemi kufizime për këtë, duam vërtetë ta shohim Europën të zgjerohet. Por anëtarësia nuk vjen aq lehtë, duhet të përmbushni kriteret dhe kushtet. Dhe sa më shumë që mbrojmë të drejtat e vendeve evropiane për të aplikuar për anëtarësimin në BE, aq më shumë i ndihmojmë ato të arrijnë objektivin për të qenë një vend anëtar, po aq shumë kërkojmë plotësimin e kritereve. Ka qenë një arritje e madhe për Shqipërinë të arrijë deri në këtë pikë që të marrë statusin e vendit kandidat dhe kur të keni plotësuar edhe pesë kriteret kyçe, të cilat z. Meta i përmendi, jam absolutisht i bindur se qeveria suedeze do të jetë një nga vendet e para që do të kërkojë hapjen e negociatave me Shqipërinë”, theksoi Ahlin. 

Në përfundim kreu i Kuvendit, Ilir Meta u tha gazetarëve se “Urojmë që të gjitha vendet të jenë skeptike si Suedia”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb