TIRANË- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot Kryetarin e Bashkisë së Palermos, Leoluca Orlando. Meta i uroi mirëseardhjen në Tiranë z. Orlando duke shprehur ndjenjat më të ngrohta të miqësisë së popullit shqiptar për Sicilinë dhe popullin e saj mik. Kryetari i Kuvendit tha se ekziston një lidhje e fortë historike miqësie mes dy popujve tanë, e cila përforcohet edhe përmes prezencës së fshatrave arbëreshe në Sicili, lidhje e cila duhet materializuar në projekte konkrete bashkëpunimi e investimi për të ardhmen.

Kryetari i Bashkisë së Palermos Leoluca Orlando shprehu kënaqësinë e kësaj vizite të parë në Shqipëri dhe i përcolli Kryetarit të Kuvendit Meta përshëndetjet më të përzemërta të Komunës së Palermos si dhe të Shoqatës së Komunave Siciliane. Orlando vuri në dukje se shqiptarët kanë një domethënie të veçantë për popullin sicilian falë lidhjeve historike. Meta dhe Orlando ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, turistike dhe kulturore mes Sicilisë dhe Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer italo-shqiptar por edhe në kuadër të prioriteteve zhvillimore të hapësirës mesdhetare. Në përfundim të takimit Orlando e ftoi z. Meta të vizitojë Sicilinë së shpejti, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: