TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, i cili gjendet në Tiranë në kuadër të Sesionit të Dytë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Meta e falënderoi Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të SEECP si dhe për mbështetjen e fuqishme që Turqia i ka dhënë funksionimit të Asamblesë Parlamentare.

Kryetari i Kuvendit duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve theksoi se bashkëpunimi mes dy parlamenteve duhet përqendruar në mbështetjen e punës së dy qeverive respektive për shumëfishimin e kontakteve dhe shkëmbimeve të gjithanshme bilaterale, veçanërisht shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në Asamblenë Parlamentare të SEECP dhe vlerësoi angazhimin e Kryesisë Shqiptare gjatë vitit të kaluar të kësaj nisme të rëndësishme rajonale.

Duke vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin ndërparlamentar dhe marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Shqipërisë, Çiçek shprehu dëshirën për një vizitë zyrtare të Meta në Turqi, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: