*Meta takon Kukan e Fleckenstein: Dekriminalizimi ka hyrë në fuqi, zbatimi brenda dy muajsh
TIRANE – Pas takimit me eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, kryetari i parlamentit, Ilir Meta deklaroi se në fokus të bisedës ka qenë ligji i dekriminalizimit, reforma në drejtësi dhe çështje që kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit.

Kryeparlamentari Meta i falënderoi eurodeputetët për kontributin e tyre, në mënyrë të veçantë për nxitjen që i janë dhënë kompromisit për mbylljen e procesit të dekriminalizimit. Sipas Metës, ligji për dekriminalizimin tashmë ka hyrë në fuqi, dhe zbatimi i tij pritet të nisë brenda dy muajsh.

“Do dëshiroja dhe njëherë të përsërisja falënderimet si kryetar i kuvend për kontributin e veçantë që të dy së bashku kanë dhënë për të moderuar debatin politik në vend dhe në mënyrë të veçantë për nxitjen që i kanë dhënë kompromisin për mbylljen e procesit të dekriminlaizimit. Ligji ka hyrë në fuqi, zbatimi i tij do të nisë brenda dy muajsh. Reformën në drejtësi e kemi theksuar si të domosdoshme, për të ngritur në një standard më të lartë luftën kundër korrupsionit. Kemi diskutuar edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve të kuvendit të Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian.”- deklaroi Meta.

FLECKENSTEIN: KE TË MONITOROJË REFORMËN NË DREJTËSI
Eurodeputeti Knut Fleckenstein në fjalën e tij pas konferencës me kryeparlamentarin Meta theksoi se ndodhet në Shqipëri, bashkë me Kukan për të ndihmuar vendin që të zbatojë ligjin e dekriminalizmit e të vijojë në rrugën e reformave. Ai vlerësoi vullnetin e liderëve të partive kryesore në Shqipëri, për të gjetur zgjidhje për problemet që kanë.

“Ne kemi ardhur në Shqipëri pas miratimit të ligjiti të dekriminalizimit, që të krijojmë një panoramë se si mund të ndihmojmë vendin. Ne jemi të kënaqur me progresin e arritur deri më tani. Më duhet të them që na nevojitet një qasje që të zbatohen siç duhet reformat në vend. Jam i lumtur me gjërat që kam dëgjuar në takime, me Ramën, Bashën e Metën, të cilët na kanë bindur se ekziston dëshira për të gjetur një zgjidhje. Do shohim si mund të ndihmojmë Shqipërinë edhe pasi të vijnë konkluzionet e Venecias”.

“Pas disa javësh do kemi mundësi të diskutojmë edhe raportin tim si raportues për Shqipërinë. Do ti rekomandoj komisionit që të monitorojë dhe ndjekë nga afër se çfarë po ndodh me zbatimin e reformës në drejtësi. Si mund të luftohet krimi dhe korrupsioni nëse nuk kemi një reformë të mirë në drejtësi. Nuk bëhet reforma për të kënaqur Merkelin, por për qytetarët.

KUKAN: REFORMA NË DREJTËSI ËSHTË NË PROCES, DO LARGOHEM OPTIMIST NGA TIRANA
Eurodeputeti Eduard Kukan theksoi se do të largohet nga Tirana optimist, pasi reforma në drejtësi është në proces. Gjatë fjalës së tij në konferencën e  përbashkët me kreun e Kuvendit, Kukan tha se synimi i vizitës në Tiranë ishte të shihej mundësia se si mund të ecet përpara me reformën në drejtësi.

“Në fakt dëshiroj të them që synimi i vizitës sonë në Tiranë është shumë i thjeshtë, është transparent. Ne jemi këtu sepse jemi miq të Shqipërisë. Kemi ardhur për të takuar politikanët tuaj, për të parë se çfarë ndihme apo asistence mund të japim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kemi ardhur të dëgjojmë udhëheqësit tuaj, në mënyrë që të përpiqemi t’ju ndihmojmë për këtë reformë kaq të rëndësishme, e cila është e domosdoshme në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara drejt anëtarësimit evropian.

Jemi të kënaqur të shikojmë se reforma në drejtësi është në proces. Unë do të largohem nga Shqipëria optimist. Kemi optimizëm.”- deklaroi Kukan.

“Në fund të fundit është përgjegjësia e udhëheqësve tuaj politikanë që ta miratojnë reformën në drejtësi. Me vullnetin politik dhe angazhimin e të gjitha palëve do të arrihet synimi i përbashkët, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian.”- përfundoi Kukan.

ZGJEDHJET NË PS, FLECKENSTAIN: ËSHTË NË DORË TË KONGRESIT
I pyetur për zgjedhjen brenda PS-së, eurodeputeti Fleckenstain tha se kjo është në dorë të Kongresit. Ai u shpreh se majta gjermane ndryshon shumë me atë shqiptare, e cila sipas tij ngjan me modelin laburist.

“Tashmë kjo çështje është në dorë të kongresit të PS-së. Në familjen tonë, në partitë tona të majta kemi rregulla ndryshe. Ajo që është në Shqipëri është më e ngjashme me modelin e partisë laburistë në Britaninë më e madhe”, tha Fleckenstain.

Eurodeputeti gjerman u shpreh se gjatë takimeve me krerët e politikës, i kanë lënë përshtypjen se janë të gatshëm për një zgjidhje për reformën në drejtësi. “Pikërisht këtë përshtypje pata kur takova këta dy krerë dhe kreun e opozitës, që këta 3 persona janë të gatshëm që të gjendet një zgjidhje për reformën në drejtësi”, tha ai.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb