TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në një takim me veteranë dhe me familjarë të dëshmorëve të atdheut në Bashkinë e Vorës. Gjatë këtij takim, Ilir Meta, vlerësoi kontributin e dëshmorëve të atdheut dhe të veteranëve të cilët luftuan për lirinë e atdheut.

“Për mua është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu sepse populli i kësaj zone bashkë me popullin e zonës së Pezës, të Krujës, kanë qenë ndër të parët që ka qëlluar me pushtuesit dhe ne jemi krenar sot sepse sot feston gjithë bota dhe ne jemi krenarë sepse janë pikërisht dëshmorët dhe heronjtë ata që na japin këtë fuqi dhe këtë krenari me sakrificën e madhe që ata bënë. Shqiptarët u rreshtuan që në momentin e parë në drejtimin e duhur, që në 7 prill e pritën me pushkë pushtuesin edhe pse mundësitë i kishin shumë të pakta, kur popuj të tjerë në Evropë shumë më të mëdhenj se populli ynë u nënshtruan dhe e pritën me lule”, theksoi Meta.

Kryetari i Kuvendit tha se populli shqiptar ka qenë ndër të parët të cilët nisën betejën kundër pushtuesit nazifashist në Luftën e Dytë Botërore. Meta tha se populli i kësaj zone ka dhënë një kontribut të veçantë në të gjitha formacionet partizane që nga formacionet e batalionit të Ishmit, të Krujës e në formacionet e Pezës dhe kudo.

“Ne jemi mirënjohës për gjakun e derdhur nga dëshmorët e atdheut. Kjo na bën krenar. Jemi pak ditë përpara ditës së Evropës. Ditën e fitores mbi fashizmin ku të gjithë e festojmë me shumë madhështi. E festojnë edhe vendet që nuk kishin dëshmor dhe i shpikën dëshmorët. Si mos ta festojmë ne që patën aq shumë dëshmorë, që u derdh aq shumë gjak. Pa gjakun e tyre Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sepse me gjakun e tyre, me sakrificën e tyre, përsëri u diskutua mbas lufte dhe u ngritën pretendime për të copëtuar Shqipërinë dhe për ta konsideruar si palë humbëse”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit tha se ishte pikërisht kjo luftë e cila mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe lirinë e Shqipërisë që kemi ne sot.

“Ne sot jemi anëtar në NATO, sot jemi kandidat për në Bashkimin Evropian falë sakrificës së tyre, falë largpamësisë së tyre dhe dashurisë së tyre për atdheun”, tha Meta.

Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, dhe nga deputetët Luan Rama, Xhemal Qefalia dhe Artan Gaçi, Prefekti i qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi si dhe përfaqësues të organizatave të veteranëve dhe të familjeve të dëshmorëve.

Ministri Panariti tha se në këtë 5 maj, të gjithë shqiptarët ndihen krenar për sakrificën sublime të brezave të cilët dhanë jetën, bënë sakrifica të panumërta që Shqipëria të çlirohej nga okupatori nazifashist dhe njëkohësisht edhe e rreshtoi vendin tonë me krenari në krah të aleancës më të madhe antifashiste të historisë.

Deputeti i LSI-së, Luan Rama u shpreh se Shqipëria në raport me popullsinë, Shqipëria ishte ndër vendet që sakrifikuan më shumë dhe që meriton të jetë në piedestalin e vendeve që luftuan dhe fituan mbi fashizmin.

Ndërsa deputeti Xhemal Qefalia tha se kjo ditë është një homazh për të gjithë ata që dhanë jetën për ta çliruar Shqipërinë. Ndërsa deputeti Artan Gaçi theksoi se 5 maji përcjell një mesazh për të rinjtë që të punojnë më shumë.

Më herët, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vizitoi familjen e dëshmorit të atdheut Osman Bubku, në Prezë. Gjatë takimit me të afërmit e dëshmorit të atdheut, Kryetari i Kuvendit vlerësoi sakrificën e bërë gjatë Luftës së Dytë Botërorë.

Kryetari i Kuvendit vizitoi dhe familjen e dëshmorit Ramazan Sinani po në Prezë, ku u takua dhe me nipin e tij që mban të njëjtin emër, Ramazan Sinani.

Një tjetër ndalesë e Metës ishte në Vorë në familjen e dëshmorit Bektash Hala. Gjatë takimit me nipin e tij, z. Ramiz Sula, Kryetari i Kuvendit tha se sakrificat e dëshmorëve duhet të vlerësohen dhe të ruhen të skalitura në kujtesën e popullit shqiptar.

Meta zhvilloi një vizitë dhe në familjen e dëshmorit të atdheut Skerdilajd Llagami, i cili ka humbur jetën në luftën e UÇK-së në vitin 2001.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb