TIRANË-Akuzat e deputetes së opozitës Jozefina Topalli në drejtim të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta kanë nxitur një debat të ashpër mes të dyve në Kuvend.

Gjatë fjalës së saj Topalli tha se partia e Ilir Metës po i bën presion administratës që të votojë për të në 21 qershor dhe kjo vihet re veçanërisht në qytetin verior. “Mos bëni presion mbi votuesit. Mos provoni përsëri që të blini, apo përmes kërcënimit me vende pune, të blini shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre. E keni bërë një herë këtë herë nuk iu ecën. Nëse vota do jetë e fshetë administrata do tua kthejë reston.”- u shpreh Topalli.

Meta e cilësoi Topallin të pacipë dhe kërkoi që nëse ka fakte për akuzat që bën ti dorëzojë në polici dhe prokurori.“Është e drejta jote të jesh e pacipë por mos harro se na dëgjon Shkodra. na njeh Shkodra. Nëse ke fakte denoncoi ne prokurori, por ti ke hall tjetër do justifikosh rezultatin në 21 qershor.”- u shpreh Meta menjëherë pas fjalës së Topallit.

Menjëherë pas reagimit të kryetarit të Kuvendit, deputetja Topalli ka kërkuar të marrë përsëri fjalën por Meta e ka mohuar një gjë të tillë.“Nuk ta jap fjalën fare. Më përmende si kryetar Kuvendi, se nuk kisha në plan të merreshe me ty. Ti je e pacipë, të njeh gjithë Shkodra dhe do ta japi Shkodra përgjigjen në 21 qershor. Atë që quaje ti mafje dhe të quante ty Moldave sot e ke aleat. Mafjen që të ka thënë moldave e ke aleat sot. Unë nuk flas asnjëherë por meqë zonja më përmendi drejtëpërdrejtë do ja jepja këtë përgjigje. Me qetësi dhe dashuri patjetër.”- u shpreh Meta.

DEBATI I PLOTË

Topalli: Mos bëni presion mbi votuesit. Mos provoni përsëri që të blini, apo përmes kërcënimit me vende pune, të blini shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre. E keni bërë një herë këtë herë nuk iu ecën. Nëse vota do jetë e fshetë administrata do tua kthejë reston.

Meta: Është e drejta jote të jesh e pacipë, por mos harro se na dëgjon Shkodra. Nëse ke fakte të tilla ti dhe partia jote denoncojini në polici dhe prokurori. Por ti ke hall tjetër, ti do të justifikohesh në 21 qershor.

Topalli: Më jep fjalën.

Meta: Nuk ta jap fjalën po rri tani.

Topalli: Ti je mafia.

Meta: Ti je e pacipë. Atë që quan mafie ti e ke aleat sot. Atë që quan mafie ti dhe atë që të quante ty moldave përgjigjen do ta marrësh në 21 qershor.

Topalli: Kjo është fytyra juaj. Ti je mafie.

Meta: Mafia që të ka thënë moldave e ke aleat sot. Unë nuk flas asnjëherë por meqë zonja më përmendi drejtpërdrejtë do tia jepja këtë përgjigije. Na gjykon Shkodra të dyve edhe karakterin tim edhe karakterin tënd.

Topalli flet nga vendi
Meta: Unë për zhelesh nuk të kap. Me qetësi me dashuri.

PALOKA-METËS: MOS PËRDORNI MIKROFONIN PËR TË SHFRYRË DUFET
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi se kreu i Kuvendit, Ilir Meta po përdor mikrofonin për të shfryrë dufin.

“Është e papranueshme gjuha që përdorni ju në parlament dhe të përdorni atë mikrofon për të shfryrë dufet tuaja. Nuk mund të nxirrni dufin tuaj. Paratë që po merren nga aktet mafioze, po blini votën tek qytetarët. Ata janë koshientë. Shpirtin nuk do ua blini dot, me 21 qershor dhe aspak me ‘qetësi dhe dashuri’. Fushata tregoi këtë ditë, tek Universiteti Bujqësor, banojnë 500 familje. Aty banojnë jo si njerëz, por si kafshë. Dje kjo qeveri ka marr vendimin të rikonstruktojë vilën e Enver Hoxhës. Kjo qeveri do që të paguaj energjinë, dhe thotë se duhet të paguajnë 30 milionë, pa marrë parasysh kushtet e këtyre familjeve. Kjo qeveri ju pret dritat dhe ujin, le të vdesin për këtë qeveri, apo të ikin. Ky eksod masiv i qytetarëve është i nxitur, pasi si Ramiz Alia, këta të dy mendojnë se do largojnë ata që do votojnë kundër në 21 qershor.”, tha Paloka.

Teksa u ndal tek një tjetër aksion që do ndërmarrë qeveria, siç është ajo e ujit të pijshëm, Paloka theksoi se do të jetë i ngjashëm me atë të energjisë, ku shumë qytetarë do futen në burg. “Rama do marrë dhe reformën e ujit, ashtu siç bëri me dritat. Kush nuk rri dot pa pirë uji do ik në burg, dhe do e pi falas në burg. Do nisim të mbledhim fiq, pasi shqiptarët kuptuan se duke mbledhur fiq, do bëhen milionerë. Dhe do blejnë vila luksoze e bëjnë dasma. Dhe kështu mendojnë se do gënjejnë shqiptarët. Kjo është qeveria dhe ata që duhet të përfaqësojnë nesër qytetarët e Tiranës. Kjo është demokracia, jo e Gruevskit, por e Putinit. Atë po e gënjen mendja, pasi përgjigjen do e marrin në 21 qershor. Nëse do guxojnë të blejnë votën, do përballen shumë fortë, por me shumë qetësi dhe aspak dashuri”, pohoi Paloka.

(a.n/ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: