Postimet, komentet, videoklipet, fotot, të dhënat e shumta personale që shpërndahen publikisht përmes Instagram-it, Facebook-ut dhe aplikacioneve të tjera në pronësi të kompanisë Meta, që nga fundi i qershorit, nuk janë përmbajtje që ne ndajmë vetëm me miqtë.

Duke ndryshuar politikën e privatësisë së Meta-s, ato mund të bëhen material për trajnimin e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kjo kompani amerikane.

Gjithçka ndodhi pa njoftim e pa shpjegim dhe miliona përdorues në Ballkanin Perëndimor nuk u informuan as për “Politikën e Privatësisë” së re të Meta-s, e cila u publikua më 26 qershor.

Në një dokument, të cilin e ka analizuar Radio Evropa e Lirë (REL), kompania Meta thekson nisjen e një shërbimi të ri – që është mundësia për të krijuar tekst, zë, imazhe dhe video përmes inteligjencës artificiale. Meta mbledh përmbajtje të publikuara që përdoruesit ndajnë përmes platformave të kompanisë, ndaj dhe shërbimi i ri që ofron nëpërmjet zhvillimit të inteligjencës artificiale do të bazohet në këtë praktikë.

Përdoruesit nga Ballkani Perëndimor nuk ishin të informuar për risinë, ndërsa qytetarët e Bashkimit Evropian, kur hynin në platforma, morën një paralajmërim se politika po ndryshonte dhe më pas kishin opsionin për të tërhequr të dhënat nga trajnimi i planifikuar i inteligjencës artificiale.

Kur gjithçka vihet në kontekst me ligjet vendëse në rajon, Meta ishte e obliguar të ofronte të njëjtin opsion edhe për përdoruesit në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, dhe në Mal të Zi.

Zgjidhjet ligjore ekzistojnë në vendet e Ballkanit dhe më së shumti janë të harmonizuara me ato evropiane, kur bëhet fjalë për përpunimin e të dhënave personale, tregon analiza e REL-it.

Megjithatë, institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale në këto vende nuk kanë shumë instrumente për të reaguar, thanë përfaqësuesit e tyre për Radion Evropa e Lirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb