KOSOVE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta thekson nevojën e ndërtimit të një hekurudhe që të lidhë Durrësin me kryeqytetin e Kosovës. Gjatë vizitës dy ditorë në Kosovë, Mata vizitoi disa biznese, ku u njoh më nga afër me aktivitetin tyre dhe bisedoi për shtrirjen edhe në Shqipëri.

Në këto takime, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga bashkëshortja e tij, njëkohësisht edhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Monika Kryemadhi, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Gjatë vizitës në fabrikën e miellit “Universal Food” në Fushë Kosovë, Meta u takua me pronarin e kompanisë, Ibrahim Aksoy, me të cilin bisedoi për zgjerimin e aktivitetit tregtar të prodhimit të miellit në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Kryetari i Kuvendit e përgëzoi Aksoy për investimin e bërë, ndërsa shprehu bindjen se midis dy vendeve nevojitet ndërtimi i një hekurudhe Durrës-Prishtinë në mënyrë që kostot e prodhimit të këtyre produkteve të ulen si për shtetin e Kosovës, ashtu edhe për tregun e Shqipërisë, i cili do të mund të importonte më shumë mallra nga Kosova.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, theksoi nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve në mënyrë që të arrihet përballimi i kërkesës për produktet shqiptare.
Fabrika e miellit është një nga më të mëdha në Ballkan e cila është rindërtuar në vitin 2007. Ajo ka një kapacitet deponimi prej 500 ton grurë dhe prodhon rreth 380 ton miell në ditë. Kosto e investimit në këtë fabrikë arrin 22 milionë euro dhe është e lidhur me rrjetin e kompanive “Aksoy Group” e cila ka filialet e saj në Shqipëri dhe Turqi.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kryetari i Kuvendit, vizitoi dhe Kantinën e verës “Stone Castel” në Rahovec të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit uroi pronarin e kantinës “Stone Castel”, z. Hysen Geci, për investimin e bërë dhe theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve në mënyrë që produktet e kësaj kantine të eksportohen edhe më shumë tregun shqiptar. Z. Ilir Meta tha se prodhimi i fabrikës duhet të vendoset në kapacitet të plotë në mënyrë që të ulet edhe kostoja e prodhimit. Kryetari i Kuvendit vizitoi vendin e prodhimit të verës si edhe të fermentimit të saj. Fabrika e verës është ndërtuar në vitin 1981 dhe në vitin 2007 është marrë nën administrim nga z. Hysen Geci. Në këtë kantinë prodhohen produkte të ndryshme të rrushit si vera e kuqe dhe e bardhë, konjaku, i cili ishte i stazhionuar për një periudhë 10 vjeçare dhe ofronte punësimin e rreth 150 punonjësve sezonalë si dhe të 20 punonjësve permanentë. Produktet e kësaj kantine vere eksportohen në Shqipëri dhe në tregjet e Bashkimit Evropian, si Gjermania, Çekia etj.

Kryetari i Kuvendit, Meta zhvilloi një vizitë edhe në ambientet e reja të televizionit “Klan Kosova” ku u takua me drejtorin e përgjithshëm, Baton Haxhiu.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: