Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” atleten e njohur, Luiza Gega. Në ceremoninë solemne të zhvilluar në ambientet e Institucionit të Kreut të Shtetit, Presidenti Meta i dorëzoi Titullin kampiones së atletikës shqiptare me motivacionin: “Për talentin, karakterin dhe profesionalizmin e treguar në arritjen e rezultateve të larta në sportin e atletikës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlera të mëdha si atlete e niveleve botërore, shembull frymëzimi për të gjithë sportistët e rinj e të reja”.

Në fjalënpërshëndetëse drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve familjarë dhe të afërm të Luiza Gegës, kolegë dhe personalitete të sportit, Presidenti i Republikës theksoi se e konsideron një privilegj të nderojë sot një nga sportistet më të shquara në gjithë historinë e Atletikës shqiptare, vrapuesen e jashtëzakonshme Luiza Gega.

“Ajo ka dhënë gjithçka për sportin që dashuron aq shumë, për atletikën. Luiza është një atlete e përmasave botërore. Si sportiste ka thyer rekorde, ka fituar në gara shumë të rëndësishme ndërkombëtare dhe na ka frymëzuar të gjithëve me rezultatet e saj, në kampionatet Botërore, Europiane, Ballkanike e Lojërat Mesdhetare. Serioziteti e sakrificat në punën e saj janë themeli i sukseseve të shumta. Luiza vazhdon të kontribuojë me performancën e saj, jo vetëm në rezultatet e larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por me personalitetin e saj ajo është bërë një shembull i rritjes së identitetit dhe imazhit tonë kombëtar”, u shpreh Meta.

Ai e vlerësoi atleten shqiptare si një nga ambasadoret e kombit në botë dhe një nder për të gjkithë. “Luiza është një nga ambasadoret më të mira të kombit tonë, anembanë botës. Me gjithë sukseset e saj ajo vazhdon të mbetet e përkushtuar dhe besoj që puna e saj dhe në gara të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të jetë objektivi i radhës. Përfitoj nga rasti, për të theksuar se një sportiste e tillë është nder për të gjithë ne. Të nderuar të pranishëm! Sukseset e Luizës, të cilat nuk mbarojnë, jam i bindur që do të marrin një ritëm edhe më të lartë nga sot. Faleminderit Luiza për gjithçka që keni bërë!”, u shpreh Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb