Presidenti Ilir Meta ka kthyer sot për shqyrtim në Kuvend një tjetër ligj të mazhorancës. Pas kthimit të koncesionit në “Milot-Balldren”, Meta ka kthyer edhe koncesionin për mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By Pass Orkum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

Duke bërë me dije arsyet ligjore që e detyruan të rrëzojë këtë koncension, Meta ka zbuluar ndër të tjera dhe skandalin që ky projekt nuk është miratuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Konkretisht Kreu i Shtetit bën me dije se “Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces. Në relacionin e Këshillit të Ministrave dhe Raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, nuk qartësohet nëse është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në çfarë faze është dhënë, si dhe cili ishte akti miratues i dhënë prej këtij organi.

Nga shqyrtimi tërësor i praktikës së ndjekur për këtë koncesion, rezulton se përgjatë procedurave të ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk citohet të jetë dhënë miratim i projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Edhe pas kërkesës së paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në dokumentacionin e përcjellë nga Kuvendi, nuk rezulton e administruar apo e dërguar ndonjë akt që të vërtetojë faktin që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ketë dhënë miratim financiar për këtë projekt.

Mungesa e këtij akti dhe e informacionit mbi të, cenon rëndë të gjithë procesin dhe përbën shkelje të procedurës së ndjekur qoftë nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, duke përfshirë në këtë proces edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo është shkelje e rëndë e procedurës ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimmarrës në këtë çështje që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor deri tek vendimmarrja e Këshillit të Ministrave, që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë prej Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, sqaron ndër të tjera Presidenti Meta.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb