Kreu i Bashkisë së Tiranës, komentoi deklaratat e sotme ironizuese të kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës dhe aleatëve të saj, duke thënë se janë batuta, që sipas tij, ilustrojnë ata që kemi përballë në zgjedhjet e 25 prillit.
Mes të tjerash, Veliaj tha për “News24” se është zhgënjyer nga lista e kandidatëve për deputetë të PD, pasi shtoi se ishte përgatitur për një betejë dinjitoze.
“Besoj se ja kemi arritur qëllimit, është vetëm çështje 45 ditës përpara se të marrim kupën dhe t’iu themi shqiptarëve se jemi prapë gati me po të njëjtën fuqi. Ekipi tjetër është i fosilizuar, ndryshimi është si dita me natën. Është shumë normale, sepse edhe në SHBA kështu ndodhte, Biden bënte ironi me Trump dhe e kundërta. Këta tanët mund të ndërtonin shtëpi, me aq pasuri sa kanë, mund të kishin blerë ilaçe, etj. E vetmja gjë për të cilën prishin terezinë është një batutë me humor. Mesa duket batuta ja paska qëlluar. Kur pashë që ishte gjithë gardëroba e vjetër në listat e PD, edhe unë u zhgënjeva shumë, se isha përgatitur për një betejë dinjitoze. Batuta ne bëjmë të gjithë, nuk është për të fyer dikë, por për të ilustruar. PD ka dhe gjithë oborrin gjithë gropa, pra janë njerëz që nuk rregullojnë dot oborrin e tyre, si mund të bëjnë punë publike. Batutat mundohen të ilustrojnë atë që ke përballë, se nuk e injorojmë dot”, u shpreh Veliaj.
Meta tha se Rama ka probleme të mëdha shëndetësore…
E kuptoj që Meta është në një pozicion shumë të vështirë, ja qaj hallin realisht. Është e vështirë të shohësh partinë, që ke investuar, të shpërbëhet. Të shohësh njerëz në lista, që kanë probleme me drejtësinë. Do jetë shumë e dhimbshme. Sot LSI është bërë palë me fosilizimin e PD. LSI është një parti që lindi me kaseta, u zhvillua me kaseta, e po vdes me kaseta. Ja qaj hallin Presidentit.
Pse u fut në listën e PS Halit Valteri?
Personazhe që kanë ardhur nga e djathta, LSI, PDIU, janë ekipi jonë mbrojtës, sepse këta i dinë hiletë që bëjnë Ilir Meta apo të tjerë personazhe të dyshimtë.
Çfarë lloj fushate do të bëni?
Do të bëjmë një fushatë pozitive, energjike, pa mitingje. Ashtu si virusi është ngjitës, besoj se edhe energjia pozitive është ngjitëse. Vërtet nuk mund të bëjmë tubime e mitingje, por ne do të kemi një fushatë super pozitive.
(BalkanWeb)