TIRANE- Thuhet shpesh se për të parandaluar gripin ju nevojitet që të lani duart shumë herë dhe sigurisht që ky fakt është i vërtetë. Higjiena është shumë e rëndësishme për forcimin e sistemit imunitar. Problemi është se një numër i madh njerëzish, pavarësisht nga pastrimi i rregullt i duarve, vuan nga gripi dhe ftohjet, dhe pothuajse çdo sezon. Ne ju sjellim këshillat më të fundit nga ekspertët botërorë, përmes të cilave ky mund të jetë dimri juaj më i shëndetshëm.
Shoqërohuni
Sigurisht mendoni se gjatë sezonit të gripit dhe ftohjeve është më mirë të qëndroni në komoditetin e shtëpisë suaj, por kërkimet e fundit tregojnë se kjo nuk është e vërtetë. Shoqërimi, sidomos në ajër të pastër, mund ta zvogëlojë rrezikun e gripit dhe ftohjes. Shkencëtarët ende nuk janë të sigurt për arsyen e saktë, por sugjerojnë shoqërime sa më të shpeshta.
Hani hudhër
Alicina, përbërësi i mrekullueshëm i hudhrës, i lufton me sukses infeksionet. Edhe pse ka erë dhe shije të pakëndshme, hudhra ka veti të fuqishme shëruese dhe forcon sistemin imunitar. Hudhrën e hani jo më shumë se 15 minuta nga pastrimi i saj, sepse mund t’i humbasë vetitë shëruese. Nëse nuk jeni adhurues të hudhrës, filloni të merrni suplemente të hudhrës.
Gargarë me ujë
Kur virusi sulmon, ai duhet të kalojë nëpërmjet mukusit në fyt që të përhapet. Për virusin kjo paraqet një rrugë të gjatë, që është arsyeja se pse nuk sëmureni menjëherë pas ekspozimit viral. Kjo do të thotë se keni kohë të mjaftueshme për ta luftuar. Thjesht bëni gargarë me ujë dhe shpëlani mukusin në fyt. Në këtë mënyrë do të shpëlani edhe virusin që ka mbetur në mukus. Në studimin e shkencëtarëve japonezë është dëshmuar se personat, të cilët bëjnë gargar çdo ditë, kanë një rrezik 35% më të ulët të zhvillimit të gripit dhe ftohjeve.
Hekurosni të gjitha rrobat
Përmes hekurosjes ju i ekspozoni rrobat ndaj temperaturave të larta, dhe nuk ka ndonjë mënyrë më të mirë për t’i shkatërruar bakteret dhe viruset. Hekurosni të gjitha rrobat, duke përfshirë edhe peshqirët, sidomos nëse dikush në familjen tuaj është i sëmurë. Gjithashtu hekurosni shallet, dorezat dhe kapelat. Ato janë më të ekspozuara ndaj viruseve dhe baktereve, sepse janë vazhdimisht në kontakt me sipërfaqe të ndryshme.
Lagni çorapet
Lagni një palë çorape me ujë të ftohtë dhe vishini ato. Pastaj mbi to vishni çorape të thata leshi. Kjo është një nga mënyrat më të mira për ta parandaluar shfaqjen e ftohjeve dhe gripit. Në këtë mënyrë do ta nxisni qarkullimin e gjakut në këmbët tuaja. Do të reduktohet qarkullimi i gjakut në kokë, ku viruset grumbullohen në fillim dhe në këtë mënyrë do ta ngadalësoni përhapjen e tyre.
Gripi mund të shkaktojë komplikime
Miliona njerëz në mbarë botën as që janë të vetëdijshëm se vuajnë nga disa çrregullime shëndetësore. Për shembull, një në katër persona, të cilët vuajnë nga diabeti, këtë as që e di. Është e rëndësishme që të dini situatën tuaj shëndetësore, sepse vetëm atëherë do ta dini saktësisht se çfarë rreziku i kanoset shëndetit tuaj.
Trajtimi adekuat i gripit është vendimtar
Nëse u përkisni grupeve të rrezikut dhe jeni të infektuar me grip, është e rëndësishme që sa më shpejt të filloni t’i merrni medikamentet e duhura. Ilaçet kundër gripit nuk janë zëvendësim për vaksinën e gripit, e cila është mënyra më e mirë për parandalimin e shfaqjes së gripit. Ilaçet kundër gripit veprojnë më mirë nëse i merrni brenda 2 ditëve pas shfaqjes së simptomave të para të gripit.
(ma.ar/Summer Pages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: