TIRANE- 110 subjekte janë kapur me shkelje, gjatë fushatës“Bëni Biznes të Pastër”, në kuadër të luftës ndaj informalitetit me produktet e akcizës. Ministria e Financave bën me dije se fushata është rezualtuat i bashkëpunimit të Doganës Shqiptare me Croën Agents.

Në kuadër të këtij operacioni u zbuluan dhe sekuestruan 60 509 litra alkool i pafiskalizuar, ndërsa shkelësit e ligjit janë kallzuar në organin e akuzës.

“Edhe pse gjatë fushatës së mësipërme u bë sensibilizmi dhe informimi i të gjithë subjekteve, që aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me tregtimin/mbajtjen dhe shitjen e produkteve të akcizës, u shpjegua rëndësia e njohjes me elementët dallues të sigurisë për produktet e akcizës, në mënyrë që të mos i shkaktohet dëm biznesit të tyre dhe gjithë ekonomisë, rastet e abuzimeve nuk kanë munguar. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në vijim të fushatës së mësipërme, në muajin prill 2015 filloi fazën operative të ushtrimit të kontrolleve tek të gjithë operatorët ekonomikë që veprimtarinë e tyre e kanë të lidhur me produktet e akcizës. Gjashtë grupe të përbashkëta, me pjesëmarrjen e Departamentit të Akcizës, Antikontrabandës dhe Croën Agents, ushtruan kontrolle në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Lushnje, Fier, Berat dhe Vlorë, duke filluar nga njësitë tregtare deri në impiantet që prodhonin/tregtonin produkte akcize, si birrë, pije alkoolike, verë, duhan i grirë, cigare, etj”, thuhet në deklaratë.
“Janë kryer 560 kontrolle, nga të cilat rezultuan me shkelje 110 raste. Subjekteve me shkelje iu janë sekuestruar produkte akcize, si birrë, pije alkoolike, verë, duhan i grirë dhe cigare, të pa pajisura me pullë fiskale/kode sigurie. Gjithashtu, u bllokuan dhe 4 kantina që prodhonin verë dhe pije alkoolike, të cilat operonin në mënyrë klandestine me vendndodhje në Kavajë, Krujë, Vaqarr, Tiranë dhe në Llakatund-Vlorë. Në total janë zbuluar dhe sekuestruar 60 509 litra alkool i pafiskalizuar. Subjektet e mësipërme u penalizuan, iu sekuestrua sasia e gjetur në mjediset e tyre si dhe u bë kallëzim në prokurori për procedim të mëtejshëm për kryerjen e veprës penale “Prodhim i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore”.Gjithashtu u sekuestruan edhe 5 depozita me kapacitet 4,000 litra, 3 depozita me kapacitet 3,000 litra, 7 depozita me kapacitet 1,600 litra dhe 5 depozita me kapacitet 2,200 litra”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: