TIRANË- Ministria e Financave publikon rishikimin e treguesve makro-fiskalë dhe reduktimin e borxhit në raportin e fundit të FMN-së, ku sqaron se informacioni i dhënë nga media nuk është zyrtar, pasi Ministria e Financave ende nuk ka bërë një rishikim të Kuadrit Makroekonomik e Fiskal të miratuar në janar 2015.

Në deklaratën e MF thuhet se “sqarojmë se në raportin e fundit të FMN, shkaku i rritjes së projeksionit të borxhit për vitin 2015, krahasuar me projeksionin e mëparshëm, nuk është rritja e deficitit. Në tabelën 2B të raportit të FMN, për vitin 2015, ka dy kolona, ku në njërën paraqitet vlera /projeksioni “i shkuar” i FMN dhe në kolonën e djathtë paraqitet ai ekzistues.

Dhe duket qartë që objektivi i deficitit fiskal, sipas FMN, (overall balance) tek të dyja kolonat e vitit 2015 mbetet ekzaktësisht i njëjtë prej 72.1 miliardë lekë. Ndërkohë që diferenca me kuadrin ekzistues të Ministrisë së Financave apo Buxhetin 2015 ka të bëjë vetëm me klasifikimin e “garancive të reja për sektorin e energjisë”.

“Konkretisht, ndërkohë që FMN këto garanci i klasifikon si shpenzime mbi vijën e buxhetit me një vlerë prej 13.4 miliardë lekë (ose rreth 0.9% e PBB), Ministria e Financave këtë vlerë e klasifikon poshtë vijës së buxhetit, direkt si pjesë përbërëse e stokut të borxhit për vitin 2015 në përputhje me argumentet e saj për aq kohë sa nuk janë shpenzime të mirëfillta të buxhetit.

Ky ndryshim klasifikimi është dakordësuar plotësisht edhe me FMN që të mbetet i tillë, i ndryshëm, pasi, sa i takon ndikimit në dinamikën e borxhit, të dy klasifikimet janë ekuivalente. FMN i klasifikon mbi vijë për arsye të saj, për qëllime të një prezantimi më të qartë para bordit të saj. Pra, nëse nga vlera e deficitit prej 72.1 miliardë lekë (ose 4.8% e PBB) të paraqitur nga FMN, do të zbrisnim 13.4 miliardë lekë për garancitë e energjisë (ose 0.9% e PBB), do të kishim një vlerë të deficitit prej 58.7 miliardë lekë (ose rreth 3.9% e PBB), praktikisht ekuivalente me shifrën /objektivin e Ministrisë së Financave sa i takon deficitit fiskal (ekzaktësisht në Buxhetin 2015 deficiti i targetuar është 58.2 miliardë lekë), thuhet ne deklaratën e MF.

Ministria e Financave shpjegon  se “shkaku i rritjes së projeksionit të borxhit për 2015 nga FMN në raportin e saj të fundit është ndryshimi i kursit nominal të këmbimit, i cili ndikon stokun e borxhit që në vitin 2014 e, rrjedhimisht, edhe për vitin 2015 dhe është, gjithashtu, ndryshimi i vlerës nominale të PBB së projektuar për vitin 2015, e cila është rishikuar në ulje si rrjedhojë e rishikimit në ulje të deflatorit të PBB. Arsyeja e rishikimit në ulje të këtij të fundit ndaj projeksionit të mëparshëm është ulja e fortë e çmimeve të naftës bruto në tregjet e huaja (Shqipëria eksporton rreth 4.5% të PBB naftë bruto). Sigurisht, këto zhvillime të fundit do të reflektohen plotësisht në rishikimin e radhës që Ministria e Financave do t’i bëjë kuadrit ekzistues të janarit në qershor – korrik dhe kjo do të çojë në rritjen e projeksionit të borxhit për vitin 2015 që është në kuadrin e rishikuar të Ministrisë së Financave, siç konfirmuam më sipër.

Gjithashtu, Ministria e Financave pohon se “Shqipëria targeton një nivel të borxhit publik poshtë 65% të PBB në fund të vitit 2017 dhe poshtë 60% të PBB në fund të vitit 2018.Pra, përgjithësisht, Ministria e Financave ka projektuar një shifër më të lartë të borxhit publik se sa ka projektuar FMN në të njëjtat periudha kohore. Konkretisht, nëse i referohemi Kuadrit të janarit 2015 të Ministrisë së Financave dhe raportit të FMN të publikuar në shkurt 2015 (pas shqyrtimit të dytë e të tretë të programit), MF projekton një nivel borxhi prej 72% për vitin 2014 dhe 71.8% për vitin 2015, ndërsa FMN projekton respektivisht një nivel borxhi 71% për 2014 dhe 70.8% për vitin 2015. Gjithashtu, po t’i referohemi projeksioneve respektive të kryera në fillim të vitit 2014, Ministria e Financave në Kuadrin e saj të miratuar në 29 janar të 2014-ës projekton një borxh publik prej 72.1% për vitin 2014 dhe 71.7% për vitin 2015, ndërkohë që FMN në raportin e saj të publikuar në 14 shkurt të 2014-ës (raporti i parë i marrëveshjes së programit) projekton një borxh prej 71.7% për 2014 dhe 71.2% për vitin 2015”.

Pra, gjatë dy viteve të fundit ku Shqipëria ka qenë në një program me FMN, sa i takon treguesit të borxhit publik, nuk është e vërtetë që Ministria e Financave ka qenë plotësisht në sinkron me FMN, por Ministria e Financave ka pasur një qasje më konservatore (dhe të paktën për vitin 2014 më realiste) se FMN, duke projektuar një nivel disi më të lartë të borxhit publik se sa FMN.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb