Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në parlament, në seancën ku pritet të votohet për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Rama në fjalën e tij tha se maxhoranca do të bëjë të mundur që të mbahen zgjedhje me administratë zgjedhore të depolitizuar. Ai shtoi se Meta është armik i Kushtetutës, i popullit dhe shtetit e ndaj duhet shkarkuar.

Kreu i qeverisë bëri edhe batuta ndaj Metës, ndaj deklaratave të tij se ishte si Vojo Kushi apo Mic Sokoli.

“Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Ne do të depolizitojmë zgjedhjet. ODIHR ka thënë se ka pasur probleme me adresat. Raporti e shpreh qartë se listat e zgjedhjeve që kanë dalë pranë KZAZ dhe të QV janë tentuar të prishur nga opozita në rrugë. Janë kapur si i mbyturi pas fijes së barit. KQZ po reziston duke mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur zgjedhjet nga shkatërrimi i paralajmëruar. 30 qershori i ka mbijetuar agresionit më të turpshëm dhe antidemokratik që është ndërmarrë kundër demokracisë dhe objektivit kombëtar, Ilir Meta do ishte politikisht për ne kundërshtar që s’duhet ndaluar të gabojë më tutje.

I çoroditur nga drejtësia e re, hakërrues dhe qesharak në pafuqinë e tij, Ilir Meta vulosi rrugën e tij. Ne jemi detyruar që Metën ta lëmë të gabojë. Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend. Reagimi ndaj tij duhet të jetë frontal, përtej dallimeve politike, për Kushtetutën dhe dinjitetin e shtetit shqiptar. Meta sot është armik i Kushtetutës së Shqipërisë, ai është sot armiku i parlamentit të Shqipërisë, ai sot është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të trembur nga drejtësia. Meta na turpëron si qytetarë, si popull, si shtet. Një kryetar shteti që është kthyer në qesharak, që e imagjonin veten si Vojo Kushi me tank apo Mic Sokoli me kostum banjo. Sëmundja e vërtetë e këtij kreu shteti është ajo e personazhit të Dostojevskit, që gënjen veten për të gënjyer tjerët, prandaj ai është i sëmurë”, tha Rama.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb