Intervista e fundit, albumi i fundit dhe më pas reflektorët do të fiken. Michael Buble ka zbuluar për revistën Weekend të Daily Mail, që do të tërhiqet zyrtarisht nga bota e muzikës.


Këngëtari ka shpjeguar që jeta e tij ka ndryshuar që kur zbuloi sëmundjen e djalit Noah, 5 vjeç. Fëmija është shëruar, por perceptimi për jetën i Buble nuk është më i njëjti. “Kur zbulova sëmundjen e djalit, e pranoj që kam menduar të vdes”.


Ai dhe bashkëshortja, modelja Muisana Lopilato, e kanë përballuar atë periudhë të vështirë dhe ata u bënë më pas prindër edhe të Elias, 2 vjeç dhe Vida, që ka lindur 2 muaj më parë.


Micheal ka bërë gjithçka për ta bërë jetën e djalit të madh më pak të rëndë, pas terapive, por ka thënë që ndjehet në siklet për famën e tij: “Kjo është intervista ime e fundit, më pas do dal në pension…”.

Pas një muaji, saktësisht në 16 nëntor, do të dalë albumi i tij i ri i titulluar ‘Love’ dhe ky për të është momenti i duhur për t’u tërhequr: “E lë në majat më të larta karrierën time. Kam vendosur të mos përdor më as rrjetet sociale… Interesi im ka ndryshuar edhe perceptimi për jetën”.

Buble ka thënë më parë që nuk do e vendoste kurrë punën e tij para familjes dhe kishte menduar që nuk do bënte kurrë më muzikë pas asaj që kaloi, që është gjëja më e keqe që mund t’i ndodh një prindi. Pjesa më e madhe e të ardhurave nga albumi janë të destinuara për shoqatën bamirëse ‘Stand Up to Cancer”.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb