Nga: Moikom Zeqo
Lexoj në Biblia Sacra, në latinisht, Epistola Pauli Apostoli “Ad Corinthios secunda” (12,7): “Et ne magnitudo revelationum extollat me, datus est mihi stimulus carnis meae angelus Satanae, qui me colophizet”.
Në shqip kuptimi është: “Dhe për arsye të zbulesave madhështore mu dha një thumb në mish – engjëll Satana, që të mos krenohem”.
Në poezinë “Të birtë e shekullit të ri” Migjeni e ka edhe këtë varg:
të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerëzisë.

Një thumb në mish. Gricës. Përvëlues. Ankth. Paradoks. Kujtesë. Alarm. Dhimbje. Sfilitje.
Shpimi bezdisës i indeve të gjalla.
Gjakosje (ah, sqepi i shqiponjës o Promete!)
Plagë e amshuar.
Në fillim, para Damaskut, Sauli i përndoqi të krishterët. Egërsisht.
Qe i tëri një thumb shpagues, engjëll Satana.
Pas Damaskut Sauli u mbiquajt Paul dhe apostoloi ringjalljen e Krishtit, një të ardhme në kundërshtim absolut me të kaluarën sauliane.
Më modest, më i pafajshëm, por çuditërisht më i qartë, Migjeni u diplomua për prift, por refuzoi të jetë i tillë.
Tepër i ri, por me një guxim të shekujve, pa persekutuar asnjë qenie të gjallë të ngjashme (pavarësisht ideve) Migjeni megjithatë apostoloi një të ardhme të vështirë të gjeneratave të reja të shekullit të ri.
Traditat, rutinat janë të pavdekshme.
Të pamposhtura.
Ahere Migjeni e mbiquan veten si thumb, engjëll Satana.
Në mendjen e botës.
Të njerëzimit.
Luçiferri i John Miltonit.
Mefistofeli i Gëtes.
E pra, Migjeni qe thjesht Migjeni.
Por edhe sinteza e përfytyrimeve (shëmbëlltyrave) rebele.
Migjeni.
Ah, Migjeni!/GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: