Nënkryetari dhe deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, së bashku me deputeten Lindita Metaliaj, Kryetarin e Partisë Demokratike në Lezhë, Gjin Gjoni, dhe anëtarë të Grupit të Punës, zhvilluan një takim me demokratë dhe banorë të fshatrave të Balldrenit, Torovicës dhe Kallmetit.

Gjekmarkaj falënderoi demokratët dhe banorët e këtyre fshatrave për qëndrimin e fortë dhe angazhimin e tyre në mbështetje të PD-së. Ai bëri thirrje për mobilizim të mëtejshëm, duke besuar se “ditë më të mira na presin, sfida dhe triumf.”

Në fjalën e tij, Gjekmarkaj kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke theksuar se nuk kishte asnjë investim të rëndësishëm në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik në këto zona. Ai përmendi rrugët e papërfunduara, si në Torovicë, dhe premtoi se nën qeverisjen e PD-së do të realizoheshin investime serioze për zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e produktivitetit në fushat e Balldrenit, Torovicës dhe Kallmetit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte mungesa e investimeve për hidrovorët dhe energjinë elektrike, që, sipas Gjekmarkajt, ka çuar në largimin e mijëra banorëve nga këto zona. Ai theksoi se PD do të fokusohet në zhvillimin e agro-turizmit dhe mbështetje për fermerët, duke kërkuar një program emergjent për bujqësinë dhe një sistem të drejtë të subvencioneve.

Në fund të fjalës, Gjekmarkaj i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në aksionin e mosbindjes civile që do të zhvillohet në Tiranë më 23 Dhjetor, si dhe në zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi nevojën për një rrotacion politik dhe angazhim të PD-së në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë shqiptarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb