Mijëra njerëz u mblodhën të hënën në kryeqytetin e Iranit Teheran për të protestuar kundër sulmeve izraelite në Liban dhe për të përkujtuar liderin e vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Demonstruesit u mblodhën në Sheshin e Palestinës për të protestuar kundër sulmeve izraelite që çuan në vdekjen e Nasrallah dhe gjeneral brigade Abbas Nilforoushan, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit.
Duke mbajtur flamuj të Iranit, Libanit dhe Palestinës, së bashku me pankartat e Hezbollahut dhe postera të Nasrallah, protestuesit brohoritën parulla kundër Izraelit dhe SHBA-së.
Demonstruesit e të gjitha moshave, të cilët u lutën dhe recituan elegji, u bënë thirrje zyrtarëve që t’i përgjigjen Izraelit me parullën: “Fjala jonë e vetme është hakmarrja”.
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka nisur sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektivat e Hezbollahut në të gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 960 njerëz dhe duke plagosur mbi 2,770 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Nasrallah, së bashku me disa komandantë të Hezbollahut, u vranë në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin Bejrut të premten.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza tetorin e kaluar, e cila ka vrarë rreth 41,600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.
(A.A/BalkanWeb)