Mijëra protestues kryesisht myslimanë dolën në rrugë në të gjithë Bangladeshin të hënën, duke dënuar sulmet çnjerëzore të Izraelit në Gaza, sipas policisë.
Në kryeqytetin Dhaka, studentët dhe aktivistët iu bashkuan tubimeve në solidaritet me popullin e Gazës, si dhe kundër Shteteve të Bashkuara dhe presidentit të saj Donald Trump për mbështetjen e Izraelit në luftën e tij me grupin e rezistencës palestineze Hamas.
Një numër i madh studentësh u mblodhën në kampusin e Universitetit të Dhakës, duke valëvitur flamujt palestinezë dhe duke mbajtur pankarta me slogane të tilla si “Bojkoto Trump, shpëto Palestinën”, “Tregoji Izraelit kartonin e kuq” dhe “Bojkoto Amerikën”.
Mësimet dhe provimet u pezulluan në shumë institucione arsimore pasi studentët u mblodhën para kolegjeve ose përgjatë rrugëve kryesore.
“Pasi pashë skena të tilla të tmerrshme të gjenocidit në Gaza, nuk mund të qëndroja më i heshtur. Sot, në solidaritet me lëvizjen globale, ne i kemi lënë mësimet tona. Ne kërkojmë liri për popullin palestinez. Ne duam një Palestinë të lirë”, tha Rafiul Azam Sifat, një student protestues në Universitetin e Dhakës.
Në lagjen Baridhara të Dhakës, disa qindra protestues marshuan drejt ambasadës së SHBA.
Ministria e Punëve të Jashtme të Bangladeshit lëshoi një deklaratë të hënën duke dënuar Izraelin për atë që tha se ishte “vrasje masive dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” në Gaza.
Ministria kërkoi ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake izraelite, duke i bërë thirrje shtetit hebre që të ushtrojë përmbajtje maksimale dhe të mbajë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
(A.A/BalkanWeb)