Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën sot në Madrid, pas thirrjes së partive të djathta, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit socialist Pedro Sanchez dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Rreth 25,000 njerëz morën pjesë në këtë demonstratë, sipas agjencive të qeverisë qendrore në rajon, ndërsa organizatorët thonë se ishin 400,000 protestues.
Duke mbajtur flamuj spanjollë, pjesëmarrësit u mblodhën në sheshin Castile, duke kërkuar dorëheqjen e Sanchez, të cilin e quajtën “tradhtar”.
Më shumë se njëqind fraksione bënë thirrje për këtë mobilizim, me mbështetjen e opozitës kryesore, Partisë Popullore (PP) dhe të ekstremit të djathtë Vox, me sloganin “Për unitet, dinjitet, ligj dhe liri. Zgjedhjet parlamentare tani!”.
Folësit denoncuan një sërë vendimesh të marra nga qeveria, si amnistia e dhënë protagonistëve të tentativës së shkëputjes së Katalonjës në këmbim të mbështetjes së partive pro-autonomisë katalane në parlamentin e Madridit, marrëveshjet e bëra me partitë separatiste dhe ato baske, por edhe hetimet për korrupsion dhe ndikim të padrejtë ndaj zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe gruas së Sanchez, Begona Gomet.
Demonstruesit mbanin pankarta me slogane të tilla si “Sanchez ka shkatërruar Spanjën” si dhe slogane kundër emigracionit.
Udhëheqësi i Vox, Santiago Abascal, i vetmi kryetar i një partie që mori pjesë në demonstratë, u tha gazetarëve se “kjo qeveri po shkatërron popullin spanjoll, e tradhtoi, i gënjeu në zgjedhje”.
“Sot spanjollët, çfarëdo që të thotë qeveria, janë më të varfër se kur Pedro Sánchez erdhi në pushtet. Është më e vështirë për ta t’ia dalin mbanë”, vazhdoi politikani i ekstremit të djathtë, duke akuzuar gjithashtu qeverinë e Sanchez se “sjell më shumë imigracion të parregullt”.