Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo shprehu sot besimin se Britania e Madhe do të ekstradojë themeluesin e “WikiLeaks” Julian Assange në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është i akuzuar për spiunim, pavarësisht se për këtë vepër mund të marrë dënimin me vdekje.


“Ne tashmë kemi bërë kërkesën, kështu që ai do të ekstradohet në SHBA,” tha Pompeo për mediat e Ekuadorit, gjatë vizitës që bëri në këtë shtet.


Ai nuk deshi të komentojë më shumë rastin, por shtoi se “administrata e SHBA-së beson se njeriu që ekspozoi dhe kërcënoi jetën e ushtarëve amerikanë, duhet të dënohet”.


Seanca dëgjimore për ekstradimin e mundshëm të Assange në SHBA do të mbahet në Londër nga fundi i shkurtit të vitit të ardhshëm.

Assange aktualisht ndodhet në një burg të Londrës, ku vuan dënimin prej 50 javësh për shkak të shkeljes së kushteve të kaucionit, pasi ka kaluar 7 vite në ambasadën e Ekuadorit në Londër, në mënyrë që të shmangte ekstradimin.