Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në largimin e tij nga detyra, ka marrë disa letra falenderime mes të cilave nga Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, ministri i Jashtëm britanik Duncan, ministrii i Punëve të Jashtme të Italisë Enzo Moavero Milanesi, dhe ai turk Mevlut Cavusoglu.

Në letrën dërguar Bushatit, Sekretari Amerikan i Shtetit Michael R. Pompeo ka vlerësuar rolin e ish-kryediplomatit shqiptar në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punëve të Jashtme në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. “Unë jam plotësisht dakord me vlerësimin tuaj të partneritetit strategjik të suksesshëm mes dy vendeve tona, që ju ndihmuat të forconi gjatë qëndrimit tuaj si ministër i jashtëm. Në 27 vitet e fundit, Shqipëria ka qenë një aleate dhe një mike e patundur e Shteteteve të Bashkuara. Qeveria ime është veçanërisht mirënjohëse për angazhimin e Shqipërisë për të promovuar demokracinë, stabilitetin dhe sigurinë si një aleat i përkushtuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë ndërsa përparon në rrugën e saj të drejt anëtarësimit në BE dhe integrimit. Ju uroj gjithë të mirat në vijim të punës suaj si anëtar i parlamentit. Ju falënderojmë për punën që po bëni në parlament për të siguruar përparimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e Sekretarit Amerikan të Shtetit drejtuar Bushatit.
Edhe ministri për Europën i Britanisë Alan Duncan ka vlerësuar angazhimin e Bushatit, ndërsa ka veçuar reagimin e shpejtë dhe në një zë me aleatët perëndimorë në lidhje me dëbimin e aleatëve rus pas sulmit në Salisbury dhe angazhimin e rolin e Shqiperisë në kuadër të proçesit të Berlinit. “Faleminderit për bashkëpunimin e ngushtë që ne patëm gjatë kohës suaj si Ministër i Jashtëm. Vendet tona bashkëpunojnë në një gamë të plotë të çështjeve të politikës së jashtme dhe unë personalisht jam shumë mirënjohës për veprimet që morët si pjesë e reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj agresionit të Rusisë në Salisbury.Ishte kënaqësi të punoja me ju, dhe ju uroj shumë suksese në përpjekjet tuaja të ardhshme”, shkruan ministri për Europën Alan Duncan.
Mesazhe falenderimi Bushati ka marrë edhe prej dy vendeve mike të Shqipërisë sikurse është Italia dhe Turqia, me të cilat vendi ynë ka edhe volumin më të madh tregtar. Duke i cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqiqërisë dhe Italisë, Ministri i Jashtëm italian Enzo Moavero Milanesi, i ka shprehur mirënjohjen Bushatit për rolin e tij në rritjen cilësore të këtij bashkëpunimi.

“Dëshiroj të të shpreh falenderimet e mija më të ndjera për bashkëpunimin e frytshëm të ndërtuar gjatë këtyre muajve. Sinergjitë e maturuara në fusha të ndryshme – midis të cilave për nga rëndësia e tyre kujtoj impenjimin e përbashkët në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, ashtu edhe bashkëpunimin në kuadër të pjesëmarrjes së përbashkët në OSBE- do të jenë një themel i fortë për të vijuar në forcimin e marrëdhënieve midis dy Vendeve tona. Këto marrëdhënie, tashmë të shkëlqyera, patjetër që kanë regjistruar një rritje të mëtejshme cilësore gjatë mandatit Tënd”, thekson Enzo Moavero Milanesi, Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në qeverinë italiane. Mesazh falenderimi, ish-ministri Bushati ka marrë edhe prej homologut të tij turk Mevlut Cavusoglu, për bashkëpunimin dhe konsolidimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve. “Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për bashkëpunimin tuaj gjatë qëndrimit tuaj si Ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Dua të ritheksoj mbështetjen tonë për kandidaturën e Shqipërisë si një anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 2022-2023, nënvizon ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu në letrën e tij dërguar Bushatit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: