Djaloshi nga Kavaja ka fituar tashmë fansat e tij. Brenda ka treguar se ka një pasion për palestrën dhe jetën e natës. Miku tij, Endri rrëfen sesi është jeta e Fabianit jashtë. Miku i tij tregon se nëse fiton çmimin e parë do të investojë për një palestër të re këtu në Tiranë. Sipas mikut të tij, vajzat në “Big Brother” nuk janë të denja për të pasur një lidhje me Fabianin, pasi nuk sheh asnjë të përshtatshme për të. Në këtë lojë është edhe Marina, kushërira, që sipas Endrit e ka penguar disi në “Big Brother”. Në këtë spektakël djali që punon si kamionist në Itali ka hyrë single, duke mos lënë asnjë histori dashurie jashtë, të paktën kjo është ajo që miku tij rrëfen.
E njihni prej shumë kohësh Fabianin, si po ju duket në lojën e tij?
Me Fabianin njihemi prej shumë kohësh tashmë. Përveçse jemi miq shumë të mirë, kemi edhe lidhje gjaku. Loja e tij më ka pëlqyer deri më tani. Është po i njëjti me atë Fabian që kam njohur edhe jashtë shtëpisë. As fama as kamerat nuk e kanë ndryshuar aspak në këtë spektakël.
Ju kishte folur më herët për pjesëmarrjen e tij në “Big Brother”, e kishte ëndërr apo ishte një vendim spontan?
E kemi diskutuar pak para se ai të merrte pjesë në audicione. Nuk ka qenë një ëndërr e tij, e ka vendosur në momentin e fundit.
Në pak kohë ai është shndërruar në një prej banorëve më të spikatur aty brenda, është i tillë edhe jashtë, e fiton vëmendjen e të gjithëve?
Po edhe jashtë di të tërheqë vëmendjen e të gjithëve. Di se si të kthejë sytë e të gjithëve nga vetja. Nuk është një strategji e Fabianit edhe në lojë, e ka më shumë si dhunti këtë gjë.
Si është jeta e Fabianit jashtë, a është ai vetvetja apo është duke bërë lojë?
E thashë edhe pak më sipër që nuk po bën lojë. Me aq sa e njoh unë ai nuk ka ndryshuar aspak për hir të lojës. Është më i vërteti aty brenda.
Në “Big Brother” është së bashku me kushërirën e tij, a kishte ai dijeni më herët për pjesëmarrjen e saj në këtë spektakël?
Nuk kishte sesi ta dinte se në “Big Brother” ishte së bashku me kushërirën. Edhe pse shumë të afërt, ata jetojnë larg.
Kishin kohë pa u parë dhe pa folur ndaj dhe Fabiani nuk e dinte se në lojë do të ishte edhe Marina.
Të qenurit me Marinën në lojë a mendoni e ka penalizuar Fabianin?
Mendoj që Marina në lojën e Fabianit është një pengesë e vogël, por asgjë e madhe patjetër.
Si po i shikoni marrëdhëniet me femrat brenda shtëpisë, a ka ndonjë femër të denjë për të, ke parë pëlqime?
Nuk kam parë ndonjë simpati nga ana e Fabianit, asnjëra prej tyre nuk është e denjë për të.
Fabiani ka folur se jashtë ka një jetë shumë aktive, si është e përditshmja e tij, cilat janë pasionet?
Ka një jetë mëse normale. Pjesën më të madhe të kohës e kalon në punë dhe pas pune i dedikohet tërësisht palestrës.
Fundjavat janë disi më ndryshe pasi ka kohë më shumë për palestrën.
Si i ka marrëdhëniet me femrat jashtë, a ka lënë një lidhje pezull?
Ka marrëdhënie shumë të mira me femrat. Me aq sa di unë nuk ka lënë asnjë lidhje pezull, është ‘free’ për momentin.
Me aq sa dini a ka pasur plane për fejesë apo martesë më herët Fabiani, ka histori të dështuara dashurie?
Jo nuk ka patur asgjë të tillë. Lidhjet e tij kanë qenë të gjitha kalimtare dhe asnjërën nuk e ka menduar diçka më serioze.
E mendoni ndonjërën prej banorëve si bashkëshorten e ardhshme?
As që bëhet fjalë që ndonjëra prej atyre do të jetë në të ardhmen bashkëshortja e Fabianit. Nuk shoh asnjë prej
vajzave ti afrohet asaj që Fabiani kërkon tek nusja.
Për çfarë i duhen lekët nëse e fiton Fabiani, për çfarë do ti shfrytëzojë ai?
Nëse e fiton ai do ti shfrytëzojë ato lekë për të hapur një palestër në Tiranë. Ashtu edhe siç dihet ai e ka hobi palestrën si dhe jetesa në Tiranë i pëlqen shumë. Kjo është edhe arsyeja pse u bë pjesë e “Big Brother” për të realizuar këtë ëndërr.

 

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: