Ditë si kjo që na dha lajmin e hidhur për Kadarenë, janë të tilla që kundërshtojnë vetë verdiktin e vdekjes. Kjo vjen nga vëllimi i dhimbjes dhe nga pesha e humbjes së njeriut me vlerë, por në rastin e Ismailit ka edhe një shtesë, se në thelb verdikti i vdekjes nuk ekziston, ai ka lënë veprën.

Vepra e tij e mund vdekjen.

Filozofikisht dhe praktikisht do të mungojnë orët e takimit me të, sytë tanë nuk do e shohin më të ecë, të flasë, të shkruajë.

Por ama, ne librat e tij mund t’i hapim dhe duke lexuar mund të flasim me të, t’i dëgjojmë zërin dhe të ndjejmë realisht lumturinë e të folurit me të.

Përsiatje të tilla burojnë nga trashëgimia që ai na la, në ngjallje dhe tani.

Ai u shfaq që në shkreptimat e para letrare si një vetëtimë e një talenti të madh, metafora e tij iu ngjit frymëmarrjes së historisë aktuale të kombit.

Vepra e tij e zhbëri krimin komunist dhe mesjetën e zymtë të fateve të Shqipërisë.

Ai qëmtoi diamante shqiptare që ishin fshehur në qymyrin e zi të kohës dhe solli “Prillin e Thyer”, ai nuk shkruajti por gjakoi një vepër si” Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” që tregoi se ky komb i vogël ishte në anën e madhe të aleancave shpëtimtare të globit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai na e solli Skënderbeun, nga historia në çdo shtëpi me “Kështjellën” që ishte në të vërtetë shtëpia e përjetshme shqiptare.

Ai lëshoi jataganin e metaforës së tij kundër diktaturës komuniste në thelbin e zi të saj me “Nëpunësi i Pallatit të Endrrave”.

Në tërë eposin Kaderean, Kosova kjo motër fatkeqe e Shqipërisë që ra në duart e burokracisë dhe turpit të dështakëve politikanë të fillim shekullit 20-të dhe për këtë arsye mbeti nën Serbi me vuajte, vrasje dhe spastrim etnik, mbeti objektiv madhor i veprës letrare të Ismailit, dhe i veprimtarisë së tij kombëtare.

Në prag të luftës të bombardimit të Beogradit nga aleanca e NATO-s, ai u bë në Paris dhe në të gjithë botën tribunë dhe referencë për çështjen e Kosovës, atë kohë botoi në shtëpinë botuese Fayard, librin e jashtëzakonshëm me dokumente dhe fakte arkivore të shkencëtarëve Kroatë, “Spastrimi Etnik”.

Këtij libri ai i bëri parathënien dhe e solli të Shtëpia Botuese 55, ku ne e kemi ribotuar disa herë.

Ishte ky Kadare që me arratisjen e tij i dha goditje në “ballë” diktaturës dhe mbështeti që nga ajo orë me mish e me shpirt lëvizjen studentore dhe pluralizmin që kishte ëndërruar gjithë vepra e tij.

Ai ishte një ushtar i madh i atdheut të tij, ai nuk jetonte asnjë çast për veten e tij, sepse vepra që bënte dhe që mbeti ka përmasat qe i lyp shoqeria shqiptare ,atdheu i shqiptarve.

Shqipëria Jonë ende e copëtuar, ende e rrezikuar nga politikangjizet që e vjedhin duke u fshehur pas oratorisë skizofrenike dhe ryshfeteve që shpërndajnë, për ta sunduar dhe këputur lulen e Ballkanit.

Vepra, vepra që ka lënë ai duhet të mbushë orët e mësimit dhe të edukimit të rritjes së fëmijëve tanë, nipërve dhe nese do t’i kemi sytë atje do të shpëtojë Shqipëria.

Nëse s’do t’i ndahemi librit që ai la, veprës që ai la, do të jetë i gjallë për secilin nga ne.

Atëherë do të kemi shpresë se Shqipëria ka të ardhme.

Miku im s’të them kurrë lamtumirë, do të jem përdite me ty.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb