KOSOVË

Deputeti i Partisë Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka ka vendosur të formojë një parti të re në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë deputeti i Kuvendit të Kosovës gjatë një interviste të dhënë për “RTV Dukagjini”.


Siç tregon Milaim Zeka, partia e formuar prej tij do njihet si Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK), të cilën do ta prezantojë në fund të qershorit dhe në përbërjen e saj do të ketë figura të njohura, ekspertë dhe specialistë të fushave të ndryshme.


Ai ka treguar edhe mënyrën se si do të veprojë kjo parti, ndërsa shton se programi i saj do të jetë shumë i thjeshtë, i përshtatshëm dhe njëherësh i kuptueshëm edhe për fëmijët e vegjël.


“Kemi bërë rezervimin e sallës dhe me 29 qershor në ora 12:00 në “Emerald’ do ta bëjmë prezantimin e subjektit politik. Subjekti politik do të ketë emër që nuk korrespondon me asnjë subjekt në vendet e rajonit. Në fund kemi marrë një propozim nga shqiptarët e Neë York-ut që atë emër do t’ia vendosim partisë…Emri definitiv do të jetë Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK). Edhe në anglisht tingëllon mirë me njerëzit që jemi konsultuar.

Numër një do të jetë një premtim që ne do ta mbajmë. Që asnjë zyrtar nga presidenti e më poshtë nuk do të shkon në punë me vetura zyrtare. E dyta. Qeveria nuk do të ketë më asnjëherë më shumë se 12 ministri. Shembull nuk do të  ketë Ministri të Diasporës por do të ketë drejtori. Njëjtë do të ndodh edhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Në listë do të jenë 50 % të shqiptarëve të Kosovës ndërsa pjesa tjetër do të jetë nga diaspora. Do të krijojmë bankën nacionale me emrin “Diaspora Shqiptare”. Për një javë do të heqim kartonin e gjelbër” tha ai.

(n.m/BalkanWeb)