Duhen më shumë se dy muaj derisa të vijnë Krishtlindjet dhe në Milano po flitet se Xhampaolo nuk do të arrijë ta hajë panetonen. I duhet një fitore në “Marassi” për të mos hyrë në një rreth trajnerësh që në klubin kuqezi shohin vetëm Oskar Tabarez dhe Fatih Terim si të vetmit në historinë e Milanit që janë shkarkuar përpara festës së 24 dhjetorit.

Trajneri aktual i Uruguajit erdhi te Milani në vitin 1996 për të zëvendësuar Kapelon. Akrobavia e Paskuale Luizos më 1 dhjetor në “Garilli” i dha fitoren 3-2 Piaçencës, çka i kushtoi stolin uruguajanit, që e la Milanin në vendin e 11-të shtatë pikë larg Juves kryesuese.

Në vitin 2001, pas një aventure të dytë të Kapelos, Zakeroni dhe një pjese të shkurtër të udhëhequr nga dyshja Maldini-Tasoti, Berluskoni dhe Galiani ia besojnë skuadrën Fatih Terimit, i konsideruar një magjistar pas Kupës UEFA të fituar me Gallatasarajin. “Perandori” nuk është një flop pasi kishte vetëm 2 humbje në 14 ndeshje dhe 4 fitore në 4 në Kupën UEFA. Me rezultatet e viteve të fundit të Milanit, do të konsiderohej një profet i vërtetë. Feeling-u me Berluskonin nuk u krijua kurrë dhe Terim u shkarkua për t’i lënë vendin Ançelotit.

Sot, Terim dhe Tabarez që patën grumbulluar 2 dhe 1.47 pikë për ndeshje, ishin duke ecur më mirë sesa Xhampaolo që po ecën me 1 pikë për ndeshje…

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb