Milan e kthen në seancë stërvitore sfidën kundër Sassuolo-s, luan “tenis” duke kaluar më tej në Kupën e Italisë pas suksesit 6-1. Paulo Fonseca e kishte vlerësuar jo pak këtë raund të Kupës, hodhi në fushë disa nga titullarët e tij të rëndësishëm dhe imapkti ishte i qartë që në fillim, me “djallin” që kaloi në avantazh në minutën e 12-të, ku Chukwueze finalizoi me gol një kundërsulm të shpejtë.
Pesë minuta më pas ishte Reijnders që me një predhë të vërtetë dyfishoi shifrat. Milan nuk e uli ritmin për asnjë moment dhe në minutën e 21-të ishte sërish Chukwueze që këtë herë i shërbyer nga Abraham në zonë me një goditje të bukur me të majtën dërgoi shifrat në 3-0. Për të kompletuar “pokerin” e golave brenda pjesës së parë mendoi Rafa Leao.
Historia nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, me Calabria-n që realizoi golin e 5-të në minutën e 56-të. Sassuolo shënoi golin e nderit tre minuta më vonë, por vetëm kaq, pasi Abraham sigloi shifrat në 6-1 duke “fluturuar” me goleadë në fazën çerekfinale.
Shijon lojën e dhuruar nga djemtë e tij, Paulo Fonseca: “Zhvilluam një ndeshje të bukur, pjesa e parë ishte e shkëlqyer. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë, edhe lojtarët që janë aktivizuar më pak reaguan në mënyrë të shkëlqyer”, u shpreh Fonseca.
(BalkanWeb)