TIRANE-Tani nuk është më thjesht një spekulim. Milani e ka seriozisht me Uesli Shnajderin. Sipas mediave italiane, Adriano Galiani po përgatit një lëvizje me efekt për t’i vendosur në dispozicion Filipo Inzagit një lojtar me shumë vlera që në janar. Administratori i deleguar i Milanit do të shfrytëzojë në maksimum situatën e vështirë që po kalon në Stamboll fantazisti holandez.

Deklarata – Për të thelluar edhe më shumë “krisjen” mes Gallatasarajit dhe Uesli Shnajderit ka menduar vetë menaxheri i këtij të fundit. “Ues ndihet mirë në Turqi, por jo në pankinë”, nisi deklaratën e tij Guido Albers për televizionin turk “Bugun”. Menaxheri i Shnajderit ngriti zërin, pasi klienti i tij në takimin e fundit të Gallatës u la në stol. Zgjedhja e Prandelit nuk i ka pëlqyer aspak fantazistit që nëpërmjet menaxherit “ndez” merkaton. “Nuk e di përse e kanë lënë në pankinë. Sot (dje) kemi organizuar disa takime me anëtarët e këshillit të Gallatasarajit për të biseduar mbi të ardhmen e klientit tim. Nuk e di përse nuk luan. Ai dëshiron që të qëndrojë në Turqi, por e përsëris, nuk i pëlqen të ulet në stol”, theksoi menaxheri. Fakti që nuk është një titullar fiks tek ekipi i “luanëve”, nuk është problemi i vetëm që ka Uesli Shnajder në Turqi. Prej kohësh, është mësuar se lojtari nuk paguhet nga klubi. Kjo gjendje e ka shqetësuar shumë fantazistin.

Formula – Mediat italiane kanë bërë me dije se Milani nuk ka dëshirë që të shpenzojë shumë para për lojtarin gjatë merkatos së janarit. Thuhet se Adriano Galiani do të punojë për të afruar 30-vjeçarin nga Utrekti. Administratori i deleguar i Milanit do të trokasë në dyert e klubit turk me një ide të qartë. Ai do t’i kërkojë Gallatës që të marrë Shnajderin me formulën e huazimit. Ndërkohë që nëse skuadra e “luanëve” do të ishte dakord për Galianin, do të niste një tjetër mision. Të bindte Shnajderin që të ulte pretendimet, pra të pranojë një pagë që do të ishte në linjë me politikat financiare të Milanit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb