Nga Zonja Katerina
Përbërësit

2 peta sfoljatë, 1.2 litër qumësht, 5 të verdha veze + 2 të plota, 80 gr niseshte, 4-5 lgj sheqer, 1 bustinë vanilje, 200 gr pana pastiçerie.

Pergatitja

Fillimisht rrahim panën në marengë dhe e lemë të mbuluar me celefon në frigorifer.

Lyejmë një tavë me pak gjalpë, vendosim një letër kuzhine dhe më pas vendosim një petë sfoljatë. Të gjithë sipërfaqen e petës e shpojmë vende vende me pirun në mënyrë që të mos fryhet dhe më pas e presim në forma drejtkëndore. E pudrosim petën sfoljatë me pak sheqer pluhur dhe e vendosim të piqet në furrë të nxehtë në temperaturën 190-200 gradë për 15 minuta.

Ndërkohë përgatisim kremin e pastiçerisë. Vendosim fillimisht qumështin në zjarr. Ndërkohë që qumështi ngrohet rrahim vezët në një enë së bashku me sheqerin, niseshten dhe vaniljen. E trazojmë mirë duke e ndihmuar dhe me pak qumësht të ftohtë që të trazohet sa më mirë. Në momentin që qumështi do të jetë ngrohur plotësisht rregullojmë temperaturën e vezëve duke shtuar pak qumësht të ngrohtë në mënyrë që të mos priten vezët dhe më pas shtojmë gradualisht masën e trazuar me vezë dhe niseshte tek qumështi dhe e lemë derisa të bëhet një krem i plotë. Më pas kremin e lemë të ftohet fillimisht në temperaturë ambienti dhe më pas në frigorifer.

Pasi kremi të jetë ftohur mirë ndërtojmë ëmbëlsirën. Vendosim në një pjatë një petë sfoljatë (nje formë drejtkëndore). Vendosim mbi petë shtresën e parë me krem pastiçerie. Vendosim një petë tjetër dhe bëjmë shtresën e dytë me kremin e panës. Vendosim përsëri një petë dhe e pudrosim të gjithë ëmbëlsirën me sheqer pluhur dhe e servirim menjëherë të freskët.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb