TIRANË
Analistët e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24, diskutuan mbi krizën politike në vend dhe retorikën e ashpër mes drejtuesve partiakë. Analisti Andi Bushati tha se ndërhyrja e presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve ishte një “shuplakë” për aksionin opozitar. Sipas tij, nëse opozita do të ulet në dialog me kryeministrin Rama, ajo do të këtë fatin e 17 majit.
Pedagogu dhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, tha se problemi i shqiptarëve nuk është fakti se do bëhen apo jo zgjedhjet lokale në 30 qershor, por shqetësimin kryesor shtoi ai, është niveli i krimit dhe korrupsionit.
Ai u ndal edhe tek Partia Socialiste, ku shtoi se selia rozë ka pësuar renie në sondazhet e zhvilluara. Milo pohoi se shqiptarët duhet më parë të largojnë krimin dhe korrupsionin dhe pastaj të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pjesë nga debati mes të ftuarve:
Andi Bushati: Ndërhyrja e presidentit është një gafë, e cila dëmtoi aksionin opozitar. Kjo punë nuk zgjidhet as me dekrete. Kjo është një marrëdhënia mes Edi Ramës dhe qytetarëve shqiptarë. Nëse ulet në tryezë opozita do të pësojë fatin e 17 majit të 2017.
Paskal Milo: Unë e kam thënë edhe gjatë prononcimit me gazetarët. Një rilindas i ka përqeshur këto takime. Unë nuk e di se çfarë ka ndërmend të bëj presidenti. Unë si kryetar partie jam i detyruar ta respektoj ftesën e Presidentit. Ai shprehu shqetësimin për gjendjen, ndërsa tha se mund të këtë edhe takime të tjera. Ai kërkoi edhe mendimin tim se çfarë mund të bëhet. Këshilltari i Metës sot ka lënë të kuptohet se presidenti është duke u përgatitur për të dhënë një datë të re për zgjedhjet.
Luan Rama: Carlo, ato njerëz që dalin në protestë i nxjerrë Basha dhe Kryemadhi?
Carlo Bollino: Po, patjetër.
Paskal Milo: Kjo krizë po na rrëmben të gjithëve dhe po na fut në një vorbull. Unë kam të dhënë brenda PS, që më kanë thënë se të dhënat e tyre në sondazhe tregojnë se nuk janë mirë.
Carlo Billino: Ata kanë sondazhet e tyre, unë kam sondazhet e mia.
Paskal Milo: Mua nuk më shqetëson bëhen zgjedhjet në 30 qershor apo jo, por këtu kemi të bëjmë në radhë të parë se çfarë do të bëhet me këtë Shqipëri. Të gjithë e dimë se krimin e kemi në prag të derës. Dominon vrasja, krimi dhe korrupsioni. Ne nuk mund t’i anashkalojmë këto probleme.