TIRANE – Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Baze për thyerjen e kutisë së zezë të helikopterit të ushtrisë, që u rrëzua në liqenin e Shkodrës.

Në faqen e tij në “Facebook”, Berisha shkruan se “kutia e zezë është çarë dhe është hapur për të zhdukur provat e korrupsionit qeveritar që çoi në krim shtetëror me jetët e dy pilotëve”.

“Për të fshehur krimin e shëmtuar shtetëror, Mimi dhe gjeneral Trafiku thyejnë kutinë e zezë! Të dashur miq, çdo qytetar i këtij vendi sot duhet të shtrojë pyetjen se pse është hapur kutia e zezë e helikopterit që ra nga veç 15 metra lartësi mbi liqen? Kutia e zezë është projektuar për të rezistuar edhe shpërthime nga lartësi shumë të mëdha, ajo ka rezistuar dhe është gjetur e padëmtuar dhe në avionët e rrëzuar me raketa apo valixhe tritoli ose e rënë në mijëra metra thellësi të detit. Por në vendin e korrupsionit më të lartë qeveritar në botë, kutia e zezë çahet dhe hapet për të zhdukur provat e korrupsionit qeveritar që çoi në krim shtetëror me jetët e dy pilotëve. Kjo është bërë vetëm e vetëm me urdhër të Edi Ramës. Ky është një turp dhe krim makabër qeveritar i Edi Ramës dhe banditëve të tij! sb.”- shkruan Berisha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb