TIRANË- Ish-ministrja e Mbrojtjes, deputetja socialiste Mimi Kodheli deklaroi se është kundër tarifës së vendosur për “Rrugën e Kombit” jo vetëm për kuksianët por për të gjithë qytetarët. Kodheli tha në studion e News24 në rubrikën “Opinion” se ka pasur komunikim me ministrat për këtë çështje dhe se kjo tarifë do të rishikohet.

“Unë kam thënë disa gjëra në diskutimin e djeshëm. Ishte një diskutim pasionant edhe kritik. Jam e bindur që kam thënë e bërë gjënë e duhur jo vetëm për faktin që kjo është një tarifë që duhet të rishikohet por edhe për faktin që deri kur të mbërrijmë tek vendosja e tarifave duhet të kemi disa gjëra parasysh. Në gjykimin tim si politikan por dhe si ekonomist nuk janë marrë parasysh. Duhet që të gjitha rrugët dytësore duhet të funksionojnë mirë.
Nuk është vetëm Rruga e Kukësit që do tarifohet por dhe rrugë të tjera. Ndaj duhet të ketë një plan. Kjo tarifë më së pari nuk duhet të bjerë në kurrizin e qytetarëve të Kukësit. Mbetet qarku më i varfër në Shqipëri”, tha Kodheli.

Deputetja e PS-së tha se çdo qytetar kuksian do të ishte i gatshëm për hatër të përfundimit të rrugës e mirëmbajtjes të paguante një shumë parash që nuk është asnjëherë 5 euro.
“Unë nuk jam marrë me këtë gjë por kam qenë e vëmendshme ndaj çdo debati. Qytetarët e Kukësit kalonin nga Puka dhe paguanin 10 mijë lekë të ardhura me rrugën e vjetër për të ardhur në Tiranë, sot është 4 mijë lekë. Çdo qytetar kuksian do të ishte i gatshëm për hatër të përfundimit të rrugës e mirëmbajtjes të paguante një shumë parash që nuk është asnjëherë 5 euro, sepse deri dje kanë paguar 10 mijë lekë të vjetra. Pra mund të ia lejojnë vetes të bëjnë një pagesë modeste, asnjëherë 5 euro. Ajo është një rrugë e rrezikshme e projektuar keq. Flas si shofere jo si politikane. Pra, për të kaluar një qytetar kuksian nga njëra pjesë e pronës tek tjetra, duhet të kalojë rrugën dhe nuk ka urë kalimi. Ka shumë arsye për të cilat tarifa duhet ridiskutuar, duhet reduktuar për qytetarët e Kukësit. Në gjykimin tim nuk duhet të jetë 5 euro.
Unë kam folur me ministrat respektivë dhe në diskutimet tona besoj konstruktive, ka një përllogaritje që mund të dalë edhe 5 euro. Problemi është që kësaj përllogaritje duhen shtuar disa efekte që jo domosdoshmërisht matematika arrin t’i shpjegojë. Kam thënë që nuk duhet të paguajnë, duhet të jetë zero tarifa për rastet që flisni”, u shpreh Kodheli.

Lidhur me mundësinë që taksa e rrugës të ndikojë në mbështetjen për socialistët në Kukës, Kodheli tha se kuksianët janë një popull i mençur që dinë të vlerësojnë.
“Kuksianët janë një popull shumë i mençur që dinë t’i ndajnë mirë gjërat. Ka shumë gjëra që ju nuk i keni investiguar çfarë ka ndodhur ato ditë atje. Por unë di të them që qytetarët fisnikë të Kukësit dinë të vlerësojnë shumë më tepër se ju si gazetarë dhe se unë si politikane”, u shpreh Kodheli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: