Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, kryetari i PD, Sali Berisha përsëriti premtimin se kur të rikthehen në pushtet demokratët do të vendosin minimumin jetik 200 euro.

Berisha tha se në Shqipëri paga minimale do të jetë 500 euro. Kreu i PD premtoi gjithashtu se pensionet në Shqipëri do të dyfishohen. Këto masa, theksoi kryedemokrati, janë të nevojshme për të luftuar varfërinë dhe mjerimin.

Ai hodhi akuza në adresë të qeverisë për abuzime miliona euro në projektet rrugore. Berisha tha se në projektin e rrugës Tiranë-Plepa u rrit kostoja e investimit nga 40 mln euro e parashikuar fillimisht, në 90 mln euro, për 37 km rrugë.

Deklarata e Berishës
E kam theksuar dhe theksoj, akti i parë do jetë vendosja e minimumit jetik, i përllogaritur nga Avokati i Popullit, prej 200 eurosh. Do të jetë vendosja e rrogës minimale 500 euro. Do të jetë asnjë pension ndën minimumin jetik dhe dyfishim i pensioneve të tjera. Do të jetë synimi që të dalim përsëri në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet. Do të jetë heqja e menjëhershme e TVSH-së për të gjitha ushqimet.

Nuk ka gjë më të dhimbshme kur kujton se një pensionist me 100-130 euro, u drejtohet dyqaneve dhe blen ushqime me çmime më të shtrenjta se italianët, gjermanët, francezët. Pra, kjo do marrë fund. Është jetike kjo paketë që unë paraqes para shqiptarëve. Mund të ketë njerëz që thonë ky i ka për politikë këto. Gabojnë. Në mënyrë absolute e kam nga bindja ime më e thellë se në këtë vend të bekuar, me këto pasuri që ka, nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për kafshatën e gojës. Nuk duhet të ketë një shqiptar të vetëm të vuajë për ilaçet, për mjekimet. Sigurisht rëndom më shtroni pyetjen se ku do merren paratë? A do e bëja unë një premtim të tillë nëse nuk do isha 100 përqind i sigurt nëse nuk do e bëja? Kurrë nuk do e bëja. Por jam 100 përqind i sigurt, madje edhe këtë vit nëse PD do ishte në pushtet.

Ku merren paratë? 8 miliardë euro është buxheti i këtij viti, rreth 800 milionë euro është fondi i pagave të administratës. Pra, mbetem 7.2 miliardë euro. Unë zotohem 100 përqind se këta hajdutë, pa ndjenja ndaj shqiptarëve, ndërtojnë një rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se në Kroaci. Unë informoj shqiptarët se autostrada me 4 korsi dhe me ndriçim Lushnje-Fier është ndërtuar me 1 milion dollarë kilometri. Kurse këta ndërtojnë rrugë 10 milionë euro, 15 milionë euro. Është inauguruar rruga Shëngjin-Velipojë dhe është trefishuar çmimi në mënyrën më të pacipë. Kjo sepse vidhet! Rruga Tiranë-Plepa, një rrugë 37 kilometra, kjo rrugë nuk mund të shpenzohen më shumë se 700 mijë euro për kilometër. E parashikuan 40 milionë, e rritën në 90 milionë.

Në çdo projekt të tyre mund të ndash për kafshatën e qytetarëve të paktën 60-70 përqind të parave që vidhen. Pra, nuk ekziston ndjenja. U tha pensionistëve, do ta mbyll me këtë, me qëndrimin më cinik që mund të mbahet ndonjëherë, u tha pensionistëve që do ua rrisim pensionet në mars. Çfarë bëri? Ua indeksoi 4 përqind në tetor. Po sa ishte inflacioni? Ishte 9.4 përqind për ushqimet. Pra, jo vetëm nuk u indeksuan pensionet, por çdo pensionist shkon tani në dyqan dhe blen më pak se një vit më parë. Kjo do të marrë fund. Unë do isha i gatshëm të ndërprisja çdo punë publike dhe të ktheja paratë te qytetarët, por nuk ka nevojë në mënyrë absolute, ka nevojë të mos vidhet, të mos vidhet, të mos vidhet. Gërshërët e ligjit do presin duart e hajdutëve, cilido që të guxojë të prekë paratë publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb