Në Shqipëri nuk ka ende një minimum jetik, të shpallur zyrtarisht, duke ngritur pikëpyetje mbi mundësitë e mbijetesës për shumë familje dhe persona, fati i të cilëve varet nga pagesat e ndihmës ekonomike, të paaftësisë, etj”. Me këtë argument, Institucioni i Avokatit të Popullit i kërkon Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë përllogaritjen e tij, duke e konsideruar si një standard mjaft të rëndësishëm, pasi mbi bazë të tij përllogariten pagat, pensionet, pagesa e ndihmës ekonomike, si dhe përfitimet e tjera sociale për të gjithë kategoritë dhe shtresat në nevojë. Përmes një shkrese, drejtuar Klosit, AP i kujton faktin se Kryeministrit Edi Rama i është kërkuar ngritja e një grupi pune për studimin dhe përcaktimin e nivelit minimal të standardit të jetesës në Shqipëri. Ndërkohë që, ky i fundit e ka adresuar çështjen pranë MMSR-së, si institucioni përgjegjës. Në vijim të kësaj, në datën 9.3.2015 nga ana e ministrisë është bërë me dije se ka nisur puna për përllogaritjen e minimumit jetik, por kjo është korrespondenca e fundit, duke theksuar se më pas nuk ka asnjë informacion tjetër në lidhje me këtë çështje. Në këto kushte, ende sot nuk dihet se sa janë shpenzimet minimale që i duhen një personi për të mos jetuar në varfëri ekstreme e nga ana tjetër si ka ecur puna e grupit të ngritur me këtë qëllim.
Përllogaritja
Ndërkaq, pavarësisht se qeveritë nuk kanë pranuar ta njohin, organizata të shoqërisë civile kanë bërë përpjekje për të përllogaritur vlerën mujore minimale që i duhet një personi. Një studim i ngjashëm, është realizuar edhe nga Koalicioni për Solidaritet Social në vitin 2011, por sipas autorëve të tij, ndonëse kjo përllogaritje është bërë 4 vjet më parë ai i përgjigjet situatës aktuale. Kjo nëse nuk marrim parasysh ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike dhe çmimeve të mallrave të shportës, pasi në këtë rast minimumi jetik do të jetë edhe më i lartë. Studimi merr në shqyrtim shpenzimet mujore të një ose dy pensionistëve duke arritur në përfundimin se për rastin e dytë, një çifti pensionistësh i duhen të paktën 39 mijë lekë në muaj. Ai ndahet në pjesën ushqimore, që merr në konsideratë mallra si: Buka (12 kg), vaji (0.9 kg), sheqeri (1.2kg), qumështi e kosi (9 kg), orizi( 0.9 kg), vezët (15 kokrra), patatet (6 kg), makaronat (0.6 kg), djathi (0.75 kg), mishi (3.05 kg), peshku (0.9 kg), fasulet (0.6 kg), etj., e sipas tij 1 person i vetëm në pension për të plotësuar nevojat ushqimore i duhen të paktën 9964.83 lekë. Ndërkohë që, sa i takon shumës joushqimore ku përfshihen: uji, dritat, gazi natyror, sapunët, detergjentët, ilaçet, bileta urbani, etj, përllogaritet se një pensionisti i nevojiten të paktën 5498.58 lekë në muaj. Në total studimi vlerëson se një pensionisti i duhen në muaj të paktën 15 463 lekë, ndërkohë që aktualisht pensioni minimal është më i vogël se kjo shumë, çka do të thotë se nuk i mbulon nevojat. Pa marrë në konsideratë faktin se masa e ndihmës ekonomike është shumë herë më e vogël se kjo shumë. “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë këtë studim, ndoshta duke i ardhur në “ndihmë” edhe institucioneve përkatëse.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: