“Deri në fund të 2021 ‘Shengeni Ballkanik’ do të jetë realitet”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me presidentin Alensadër Vuçiç dhe kryeministrin Zoran Zaev. Kreu i qeverisë shqiptare tha se tre liderët kanë rënë dakord që të takohen sërish në Ohër.


Teksa u ndal tek nisma për ‘Shengeni Ballkanik’, Rama tha se gjithçka që do bëhet për implementimin e këtij projekti është në të mirë të së ardhmes europiane.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Kemi angazhuar një grup pune për takimin në Ohër. Në takimin e Ohërit do të japim të mirat e këtij procesi. Gjithçka që bëjmë është për të ardhmen europiane. Hapje dhe krijim i mundësive për investime në Ballkan. Ne nuk jemi prioriteti i BE, prioritet i tyre është vetë BE.”, tha Rama.


Nga samiti për ‘Minishengenin Ballkanik’në Novi Sad, kryeministri Rama dha mesazhin e qartë se: “Historia na ka lënë mbrapa”.

“Mjafton të japim një shembull për të kuptuar sesa dëshpërimisht na duhet të ecim përpara dhe kjo është 26 milionë orët e pritjes në vitet e kaluara në vendkalimet kufitare”, tha kryeministri shqiptar.

Ndërkohë, kryeministri Zaev tha se “Duhet të bashkëpunojmë në të gjitha fushat”.

“Ne kemi nevojë të investojmë shumë më tepër në punë intensive sesa të jemi të kenaqur me atë që është arritur deri më tani. Rajoni ynë patjeter që duhet të përmirësojë bashkëpunimin për aplikimin e katër lirive themelore: lëvizje e lirë e mallrave, shërbimeve, punëtorëve dhe qarkullimit” tha ai. Sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, nëse investitorët e huaj afrohen në ballkan do të gjejnë një treg me mbi 20 milionë konsumatorë.

Ndërkohe, presidenti Vucic tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin fatin në duart e tyre, ndërsa tha se: “Duhet t’i zgjidhim vetë me njëri-tjetrin problemet”.

Ai shtoi se përveç qytetarëve, kjo marrëveshje do të sjellë përfitime edhe për ekonominë e këtyre vendeve.

Vuçiç tha se është rënë dakord që takimi i ardhshëm të zhvillohet në Ohër në 10 nëntor, dhe aty pritet që vendet të dalin me masa konkrete. Presidenti serb tha se në vendet e Ballkanit Perëndimor papunësia llogaritet 19.1%.

“A mund ta imagjinoni të keni një treg pune? Rritje e konkurrencës, zgjidhje më të lehta dhe pa problem. Kush ka leje pune në Shkup, e ka në Beograd, kush e ka në Beograd e ka dhe në Tiranë…këto janë gjëra fantastike nëse mund t’i zgjidhim. Plani është ti zgjidhim deri në vitin 2021” tha Vuçiç.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: