I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer kërkon që Këshilli Europian t’i rikthehet ccështjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në muajin maj, në samitin e Zagrebit.

Nga Davosi, ku merr pjesë në Forumin Botëror Ekonomik, Palmer vlerësoi edhe të ashtuquajturin “Shengeni Ballkanik” si shpresëdhënës dhe që tregon se liderët marrin përgjegjësi.


“SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që ka qenë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.
Kjo është edhe arsyeja pse pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus dhe të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte kaq zhgënjyese.
Kjo nuk është fjala e fundit. Shpresojmë që Këshilli i Europës t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon.
Ndërkohë, ndërsa SHBA avancon drejt Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian konsiderohet deri në një farë niveli nga rajoni si duke u larguar, rajoni vetë po zhvillohet.
Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e minishengenit është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet. Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”, deklaroi Palmer.


(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: