BUDVA- Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në rajonin e Europës Juglindore, dhe nxitja e konkurrencës kanë qenë synimet kryesore të takimit të ministrave të Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor. Gjatë ministerialit të zhvilluar në Budva, ata konfirmuan angazhimin për të vijuar bashkëpunimin rajonal bazuar në principet e përgjegjshmërisë, pjesëmarrjes, solidaritetit dhe fqinjësisë së mirë.

Në deklaratën e përbashkët të ministerialit të titulluar: “Zhvillimi qëndrueshëm në rajon duke nxitur konkurrencën”, ministrat theksuan dëshirën për të “bërë më të mirën për të zbatur strategjinë e zhvillimit 2020”

Disa prej angazhimeve të marra në ministerialin e Budvës, ishin zhvillimi korridoreve ekonomike në Europën Juglindore, me anë të zonave të posaçme për biznesin, eliminimi i pengesave për sipërmarrjet dhe zhvillimi produkteve të përbashkëta rajonale. Për të arritur këto objektiva, ministrat ranë dakord për përmirësimin e dialogut, dhe për shkëmbimin e informacionit lidhur me reformat ekonomike.

Ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Vladimir Kavariç, në fjalën e tij të hapjes tha se kriza e emigrantëve, kriza eurozonës, ngjarjet në Ukrainë si dhe kriza në Lindjen e Mesme kanë ndikuar negativisht në rajon. Për këto arsye vijimi reformave u konsiderua i një rëndësie të veçantë për të rivendosur besimin dhe për të zgjeruar besimin në rajon.

Kavariç nënvizoi rëndësinë e zbatimit rigoroz të strategjisë 2020 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) për Europën Juglindore.

Zëvendës sekretar i përgjithshëm i KBR, Gazmend Turdiu, tha se në kuadër të kësaj strategjie, për dy vitet e ardhshme merr përparësi ngritja e grupeve të punës për turizmin dhe bujqësinë, si një bazë për të nisur reformat në këto fusha dhe për të patur produkte të përbashkëta rajonale.

Turdiu, gjithashtu theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit të rajonit me Turqinë si një parterët kyç në investime në rajon së bashku me Italinë, Gjermaninë dhe SHBA-në.

Konferenca e sotme e ministrave të rajonit në Budva u zhvillua nën patronazhin e Ministrisë së Ekonomisë së Malit të Zi që aktualisht bashkëkryeson komitetin e Investimeve dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Serbia do të marrë bashkë kryesimin e SEEIC në Janar 2016.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb