KAVAJË- Ministri i Financave Arben Ahmetaj, njëkohësisht i deleguari i Partisë Socialiste në Bashkinë Kavajë dhe Rrogozhinë për zgjedhjet e 18 Qershorit, i shoqëruar edhe nga Kandidati i PS për Kryetar të Bashkisë Kavajë Klodian Shehi, inspektuan sot punimet për pastrimin e Kanalit Kullues të Përroit të Darcit.

“Unë jam shumë i kënaqur që sot këtu kanë filluar punimet për pastrimin e kanalit kullues të Darçit, i cili ka 25 vite pa u prekur dhe ishte kthyer në gangrenë për të gjithë zonën, qoftë për banorët, qoftë për bujqësinë. Ky është loti i parë, një punë në një gjatësi prej 6 km, ku i gjithë kanali pastrohet dhe të gjithë banorët janë shumë të kënaqur që më në fund do shpëtojnë nga përmbytjet e dimrit. Sa herë që bie shi mbi kapacitetin minimal që mund të mbante ky kanal kullues, e gjithë zona përmbytej, fshatrat përmbyteshin. Janë dy njësi vendore, Luzi dhe Synej që shpëtojnë njëherë e mirë nga përmbytjet e dimrit.
Kanali është i gjatë 18.5 kilometra dhe prek një zonë deri në fushat e Bashkisë së Rrogozhinës. Besoj që me këtë ritëm që kemi rënë dakord edhe me kompaninë për të ecur, nga tre muaj, puna do të mbarojë në 75 ditë, pra për gati 2 muaj e gjysmë do ta kemi të përfunduar. Do të vijmë sërish ta inspektojmë me Kryetarin e Bashkisë pas datës 7 maj, pra me Klodian Shehin dhe me banorët, për të parë të përfunduar atë punë që filluam sot”, u shpreh Ministri Ahmetaj.

Për Kandidatin për Kryetar të Bashkisë Kavajë, Klodian Shehi, shumë shpejt ky do të kthehet në një premtim të mbajtur për banorët e kësaj zone.

“Me nismën tonë dhe me ndihmën e qeverisë dhe të Ministrit, të cilin e falenderojmë nga ana ime personale dhe nga ana e Bashkisë së Kavajës, ne bëmë të mundur të nisim një investim, i cili dukej i pabesueshëm për nga rëndësia dhe forca që duhej për të bërë këtë punë. Megjithatë, investime të tilla do të ketë në zonën e Kavajës dhe sot ndihemi realisht mirë që pas dy viteve, ne i kthehemi këtyre zonave dhe këtyre banorëve për t’i thënë që ne premtimin që dhamë para dy vitesh, sot e kthyem në realitet”, tha Shehi.

Kanali me një gjatësi 18.5 km përfshin 5 njësi administrative në zonën midis Kavajës dhe Rrogozhinës. Banorët e kësaj zone, thonë se prej 27 vitesh kanali kullues i Përroit të Darcit nuk është pastruar dhe për rrjedhojë, ka shkaktuar përmbytje të herëpashershme në shtëpitë e tyre, por edhe dëme të konsiderueshme në bujqësi.
“Kjo është historike për zonën tonë, pasi për 27 vite këtu nuk është hedhur një kovë skrepi që të pastrohet ky kanal, ndërsa sot jemi shumë të kënaqur. Shpresojmë që ky investim të shkojë në të gjithë gjatësinë që ka ky kanal”, – tha një banore.
“Falënderojmë shtetin për mundësinë që na dha për të pastruar lumin sepse ne mbytemi çdo vit me të. Na është futur nëpër shtëpi, pothuajse na ka plaçkitur, nuk na ka lënë asgjë, me blegtori e me të gjitha”, – u shpreh një tjetër banor i zonës. Punimet për pastrimin e kanalit parashikohet të përfundojnë brenda 75 ditësh.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: