ELBASAN- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë sot në Konferencën e VII Mjekësore Ndërkombëtare të Specialiteteve Mjekësore të organizuar në Elbasan, ku ishte i pranishëm edhe kreu aktual i Bashkisë, Qazim Sejdini, i cili kandidon për një mandat të ri në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Ministri Beqaj pasi ka përshëndetur Konferencën, duke iu uruar mirëseardhjen miqve të ardhur nga Kosova e Maqedonia, nga Elbasani e Tirana, është shprehur se “ngjarje të tilla duhen mbështetur pasi i vlejnë jo vetëm pasurimit të jetës akademike, brezave të rinj, sidomos në kushteve e sotshme, ku praktikisht gjatë punimeve do të ketë edhe mesazhe të videokonferencës, që do të thotë se sot në botën e madhe virtuale, praktikisht, kufijtë janë kapërcyer”.

Në përgjigje të interesit për shërbimin e urgjencës mjekësore të kryebashkiakut Sejdini, kreu i shëndetësisë në vend tha se ky shërbim është në fakt një nga prioritetet e programit të qeverisë. “Me miratimin e ligjit dhe me punën që po bëjmë ne do të kemi një shërbim tërësisht të ri të urgjencës mjekësore”, theksoi ai.

Ministri Beqaj ka garantuar kreun e Bashkisë Qazim Sejdini se do të ketë një sistem të urgjencës mjekësore të vendosur në territor i cili do të jetë në gjendje t’i përgjigjet brenda afateve kohore të mirëpërcaktuara komunitetit.

“Sot jemi në fazën që po përcaktojmë atë angazhim që do t’i përgjigjet çdo nevoje shëndetësore. Besoj se kjo është e domosdoshme në radhë të parë për të shpëtuar jetë njerëzish”, tha më tej ai.

Gjithashtu Ministri Beqaj u ndal edhe tek ndikimi që do të ketë reforma e re administrativo-territoriale në kompetencat dhe administrimin e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor nga njësitë e qeverisjes vendore që do të dalin nga zgjedhjet e 21 qershorit.

“Në këto 25 vjet kemi shumë migrim të brendshëm, ndryshim të demografisë dhe ndryshim të sëmundshmërisë, ku ka ardhur momenti që vendosja e shëndetit Parësor të dalë në një qasje të re,” – u shpreh Beqaj.

“Unë besoj se ne nga pikëpamja e vizionit mund të krijojmë brenda territorit të bashkive një ndërmarrje të shëndetësisë së kujdesit shëndetësor parësor ku në drejtimin e kësaj ndërmarrjeje të jetë shumë prezent pushteti vendor që do të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit,” – u shpreh ministri.

“Besoj se kjo është ajo çfarë kemi të skicuar nga grupi i punës së ngritur në ministri për t’ju përgjigjur një rritjeje të cilësisë së sistemit shëndetësor Parësor edhe në funksion të reformës së re territoriale. Besoj se ajo që po bëjmë për programin e kontrollit shëndetësor pa pagesë (për grupmoshën 40-65 vjeç) është drejtimi i duhur, që do të thotë shërbim kujtdo, por sidomos, janë të rëndësishëm dy elementë të tjerë, Aksesi Universal dhe Cilësia Universale. Kabineti i check–up-it kudo që është ka të njëjtat pajisje, të njëjtin trajnim, në këtë mënyrë i drejtohemi qytetarëve shqiptarë me të njëjtën shërbim, akses dhe cilësi”, tha Beqaj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: