Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka shfrytëzuar një vizitë blic në një nga pikat kufitare me Shqipërinë për t’i përcjellë një mesazh të fortë Tiranës zyrtare. I pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka folur prerë duke paralajmëruar Tiranën se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Duke u ndaluar në dekaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat u pasuan me retorika të nxehta mes palëve, ministri grek i Mbrojtjes deklaroi se për Athinën sajesa antihistorike janë të papranueshme duke iu referuar veçanërisht çështjes çame.
“Nga këtu dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare për të bërë deklarata provokuese. Përgjigja e jona është e qartë, Greqia është e vendosur të mbrojë sovranitetin kombëtar të vendit dhe të  respektojë të drejtën ndërkombëtare.

E kam fjalën edhe për deklaratat e fundit të z.Rama, për sajesat antihistorike që ai flet e që na sjellin përsëri në kujtesën bashkëpunëtorët e nazizmit. Ishin ata që dolën në anën e humbësve. Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida të tilla dhe nuk do të pranojnë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë dhe infektojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”­ tha ai.
Sa për Erdogan, që kërkoi shfuqizimin e traktatit të Lozanës, ministri grek reagoi: “Që këtu dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare me deklarata provokuese. Nga njëra anë kemi Turqinë, e cila me deklaratat e saj të përsëritura po përpiqet të minojnë klimën politike. Përgjigja jonë është sipas të drejtës ndërkombëtare, duke mbrojtur sovranitetin kombëtar të vendit”, – tha ai.
Deklaratat e forta të ministrit grek të Mbrojtjes vijnë 1 muaj pasi Greqia dislokoi në kufirin me Shqipërinë tanket dhe mjetet e saj të rënda më moderne luftarake në kuadrin e një stërvitjeje të koduar “Mburojë çeliku”. “BalkanWeb” siguroi ekskluzivisht një video të përgatitur nga ushtria greke, ku dëgjoheshin qartësisht urdhrat për goditjen e “objektivave”.
Bëhej fjalë pikërisht për stërvitjen e Brigadës së 8-të sulmuese të ushtrisë greke, në përbërje të së cilës ishin efektivët më elitarë të këmbësorisë. Për këtë stërvitje ushtarake ranë sy fakti se pothuajse në të gjitha mediat greke, u publikua pothuajse i njëjti tekst njoftimi, që ndonëse nuk përmendte në asnjë rresht Shqipërinë, nënkuptonte qartë një paralajmërim serioz që Athina zyrtare kishte vendosur t’i bënte Tiranës pas deklaratave të forta të kryeministrit, Edi Rama për Himarën, ligjin e luftës dhe çështjen çame.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb